Ish- ushtari i UÇK-së, Rexhep Selimi tani deputeti i Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës vetëm sa e thellon krizën lidhur me pensionet e veteranëve.
Ai për lajmi.net ka thënë se Qeveria është dashur që këtë problem ta ketë të zgjidhur, por sipas tij koalicioni qeverisës nuk ka ditur t’i bëjë llogaritë mirë.
“Ky vendim i Qeverisë së Kosovës vetëm sa e thellon spiralen e problemit,dhe nuk e zgjidh. Kjo nuk do të thotë se pensionistët nuk duhet paguar, por para së gjithash Qeveria e Kosovës nuk do duhej ta kishte problem të vazhdueshëm, por ta kishte një problem të zgjidhur.
Po del që të jetë e paplanifikuar e gjithë kjo situatë, duke u thirrur në “ekspertet” e Qeverisë të cilët kanë pasur një program ekonomik në kohën e fillimit të qeverisjes së tyre, po del që këta jo vetëm që nuk kanë program ekonomik dhe zhvillimor, këta nuk dinë as të kalkulojnë”, ka thënë Selimi për lajmi.net.
Ai bën fajtor koalicionin qeverisës PDK-LDK, lidhur me problemet që kanë dal me listat dhe pensionet e veteranëve, duke thënë se i kanë fryrë listat për interesa partiake e politike.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës mor vendim që nga Fondi i Rezervë i Shtetit të ndaj 1 milion e 600 mijë euro për të paguar pensionet e veteranëve për muajin shtator.
Sipas të dhënave të vitit të kaluar rezervat ushqimore që Kosova i ka në dispozicion janë të mjaftueshme vetëm për 5 orë, apo vetëm 20 ditë për 20.000 banorë.
Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka thënë se Qeveria e Kosovës me këtë veprim ka tentuar të ruaj përshkallëzimin e situatës,duke marr parasysh situatën politike që është në vend.
“Kur e kemi një situatë të tillë më demarkacionin, Asocacioni, problemin e Kishës në oborrin e UP-së, ku tensionet janë shumë të mëdha, një vendim i tillë është një blerje e paqes sociale në Kosovë.
„Se a është vepruar mirë në këtë drejtim, besoj që rezervat strategjike duhet të kenë një destinim krejt tjetër”, ka thënë Gërxhaliu për lajmi.net.
Qeveria e Kosovës ende nuk ka gjetur zgjidhje për pagesat e veteranëve edhe për tre muajt e ardhshëm.























