Emrat e përzgjedhur janë: Blerta Rafuna, Behar Zuka, Arjeta Mazrekaj, Valentina Mustafa, Besart Gashi, Arijona Caraku, Sokol Berisha, Faton Pacolli, Mimoza Shala, Zylfije Lika.
Lajmi.net ka gjetur se gjashtë nga ta kanë qenë të angazhuar me Kontratë mbi vepër: Behar Zuka, Arjeta Mazrekaj, Valentina Mustafa, Besart Gashi, Faton Pacolli, Zylfije Lika.
“Komisioni përzgjedhës i shërbimit civil gjatë shqyrtimit të aplikacioneve ka verifikuar se gjithsejtë 745 kandidatë i kanë plotësuar kushtet për tu ftuar ne testin me shkrim lidhur me pozitën “Zyrtarë i gjendjes civile”, në kuadër të Drejtorisë së Administratës. Propozimi nga ana e Komisionit është miratuar nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, si udhëheqës më i lartë administrativ, pa ndonjë vërejtje. Andaj , në përputhje me nenin 41 të Rregullores nr 02/2012 për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil, akti i emërimit do të lëshohet brenda afatit prej 30 ditësh”, thuhet në vendimin e konkursit final.
Komuna ka shpallur edhe fituesin për pozitën “Zyrtarë për shërbime me qytetarët”. Për këtë pozitë kanë garuar 70 persona, ndërsa është përzgjedhur, Milot Rrustemi, i cili ka punuar në Komunë me Kontratë mbi vepër.
Në Raportin vjetorë për Komunën e Prishtinës, Auditori Gjeneral ka gjetur se gjatë këtij viti 2015 ishin angazhuar 276 zyrtarë (siguruar nga regjistri i furnitorëve) të cilët janë paguar në vlerë prej 463,849 euro, me kontrata për shërbime të veçanta. Prej tyre, 31 janë angazhuar në një projekt në mes komunës dhe HELVETAS dhe 53 punojnë në kuzhina dhe shërbim të ushqimit për institucionet parashkollore, kurse pjesa tjetër prej 192 është e angazhuar në programet e përhershme të punës si ofiqarë, inspektorë, zyrtarë të lartë, regjistrues, anketues etj. pa ndonjë procedurë të rekrutimit apo prokurimit.
“Punësimi i tyre është bërë në kundërshtim me nenin 31 dhe 35 të Rregullores për shpenzimin e parasë publike 01/2013, pasi që nuk ka dëshmi se komuna ka plotësuar formularin i cili specifikon se është zhvilluar testi i marrëdhënies së punës dhe dëshmi mbi përzgjedhjen e tyre sipas procedurave të zakonshme të prokurimit. Gjithashtu, dosjeve iu mungojnë dëshmitë për pagesën e obligimit ndaj ATK-së, deri në fund të vitit, kur komuna ka filluar ketë obligim ta proceson direkt në llogarinë e ATK-së”, thuhet në Raportin e auditorit, duke theksuar se “Në katër raste kontratat ishin nënshkruar pasi që punëtorët kishin filluar punën, dhe 18 raste tjera, angazhimi i tyre ka vazhduar me tepër se 6 muaj; dhe Në nëntë raste nga shërbimet kontraktuale, ishin paguar shërbyes civil të komunës për angazhimin në projekte të ndryshme të ekzekutuar nga komuna në vlerë 1,500€ në kundërshtim me nenin 80 të LMFPP”.
























