Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Punëve të Jashtme kanë hequr dorë nga tentativat e tyre për lirimin e drejtorit Nehat Thaçi të arrestuar gjatë ditës së enjte në Serbi.
Burime të Gazetës Express, brenda këtyre ministrive bëjnë me dije se për këtë çështje nga e hëna do të merret Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi.
Sipas të njëjtave burime, Kuçi pritet që të negociojë me palën serbe, por edhe me zyrën e BE’së për lirimin e Nehat Thaqit.
Kuci sa ka qenë në krye të Ministrisë së Drejtësisë ka qenë i përfshirë në cështjen e leje për vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë.
Kjo cështja është bërë nëpërmjet zyrave të BE’së në Prishtinë e Beograd të cilat e kanë lehtësuar komunikimin ndërmjet palëve.
“Kjo cështje tashmë ka kaluar në duar të zyrës së Zëvendëskryeministrit, Hajredin Kuçit. Për të gjitha çështjet do të flas ai”, thonë këto burime.
Ndërkohë që Express, ka provuar gjatë ditës së sotme që të marr një përgjigje për këtë gjë nga vet Zëvendëskryeministri Kuçi, apo edhe nga Qeveria, por ata nuk kanë dashur që të flasin për këtë çështje kurse autoritetet në Prishtinë kanë kërkuar që çështja e policit të arrestuar të adresohet në dialogun që po zhvillohet në Bruksel, megjithëse BE-ja ende nuk ka dhënë asnjë qëndrim për arrestimin e drejtorit të Policisë së Kosovës.
Ndërkohë që të premtën Prokuroria Speciale në Beograd ka vendosur që çështjen e Nehat Thaçit ta rikthejë në kompetencë të Gjykatës dhe Prokurorisë së Nishit duke i caktuar atij 30 ditë paraburgim.
Drejtori i policisë për rajonin jugor të Mitrovicës është arrestuar të ënjten nga Policia e Serbisë nën dyshimin për terrorizëm.























