Duke pasur parasysh se buka dhe produktet tjera të brumit kanë qenë tradicionalisht ushqimi kryesor në tryezën e çdo shqiptari, mund të thuhet se ky festival paraqet pjesën më autoktone të vendit tonë.
“Festivali i Bukës” është i pari i këtij lloji në Kosovë e rajon, dhe mëton të vazhdojë tutje, për ta bërë Prishtinën vend-takimin e të gjitha kompanive vendore, rajonale e më gjerë, që merrën me këtë sferë të prodhimit e shërbimit.
Ky është edicioni i parë i këtij festivali dhe pritet të mbahet në gjysmën e dytë të tetorit, saktësisht me 17, 18 dhe 19 tetor.
Përveç ekspozimit të produkteve, organizatorët e festivalit, për ta bërë këtë ngjarje sa më atraktive për vizitorët dhe ekspozuesit, kanë paraparë edhe një sërë aktivitetesh artistike dhe garuese.
Për herë të parë në vend, ekspozues në kuadër të një festivali, do të kenë mundësi që të jenë pjesëmarrës edhe në gara konkurruese, ku juri do të jenë vet qytetarët.
Aktivitetet që do të organizohen në kuadër të festivalit:
– Gara për bukën më të mirë të të gjitha llojeve (bukës së bardhë, integrale, të misrit, etj)
– Gara për piten më të mirë
– Gara për burekun më të mirë
– Gara për flinë më të mirë
– Gara për kiflet më të mira (për të gjitha llojet)
– Gara për picen më të mirë (për të gjitha llojet)
– Gara për pastat më të mira (për të gjitha llojet)
– Gara për ëmbëlsirën më të mirë
– Gara për kekun më të mirë
– Dhe e fundit, gjithashtu edhe më e rëndësishmja, do të jetë gara për gurmanin më të madh (do të marrin pjesë personat që do të garojnë se cili do të arrij t’i konsumojë për një minutash të caktuar një pjesë të ushqimit).
Tre vendet e para do shpërblehen me çmime.






















