Nuk mundi të gjejë asnjë kuptim të mirëfilltë të atyre që quheshin pushime verore. Për 101 arsye nuk mundi të ishte dhe të ndjehej “i lirë”. Ishin kjo kohë pushimesh kur një 14 vjeçar mirditas po bluante në mendjen e tij ca idera që kishin si epiqendër largimin.
Nga Mirdita në Londër është një sinusoidë ku shënjohen stacione të udhëtimit nga më të pabesueshmet, stacione sakrifice e diku-diku me një dritë shprese, se një ditë ëndrra e Renis Gjokës do të realizohej. Është vërtet interesante kur takon njerëz të tillë të suksesshëm të cilët në thelb kanë ngelur po ata persona modest, pavarësisht arritjeve dhe sukseseve në fushën profesionale. Ai shprehet thjeshtësisht se historia e tij nuk është veçse një pikë uji në ujëvarën e përpjekjeve apo sakrificave të bashkatdhetarëve tanë për një jetë më të mirë.
Renisi thekson se arsyeja kryesore e rrugës së emigrimit ka qenë dëshira për të qenë i lirë, të gjente vetveten në botën perëndimore dhe kjo e beri atë të largohej nga vendlindja e tij Mirdita që në moshë fare të 14 vjeç. Fillimisht Renisi ende fëmijë u largua për në shtetin fqinj Greqi, ku shpresa dhe ëndrra e tij për të prekur perëndimin u kthye në zhgënjim të madh. I gjendur në shtetin helen, ku të ashtuquajturit emigrantët ekonomik të vajtur nga Shqipëria, trajtoheshin me përbuzje dhe inferioritet, pavarësisht faktit që këta emigrant punonin në mënyre të ndershme për të mbajtur familjet e tyre, si dhe të afërmit në mëmëdhe.
Koha që qëndroi në shtetin Helen qe mjaft e shkurtër por i mësoi dy gjëra të rëndësishme në moshë fare të vogël ,së pari i mësoi kurajon për të vazhduar si dhe mos-kënaqjen me pak nga jeta dhe pikërisht këto janë dy cilësi e shtynë drejt suksesit.
Pasi shkeli shtetin e parë “perëndimor” me gjithë sakrifica rrugëtimi në këmbë, ku provoi kthime dhe ri-kthime, ai nuk u ndie i kënaqur në vendin fqinj, pavarësisht se ishte shumë herë më mirë se Shqipëria. Aty pati një qëndrim tre mujor ku kuptoj se ai vend nuk përmbushte asnjë nga vlerat e Europës perëndimore të cilat Renisi ëndërronte.
Kështu që ai vendosi të kthehej sërish në vendlindje, pa u dorëzuar për te realizuar ëndrrën e vet . Menjëherë vendosi të niset në drejtim të Italisë me shpresën se do të gjente vendin e ëndërruar dhe ndërmori një rrugë prej 14 ditësh me itenerar Shqipëri-Kosovë-Serbi-Kroaci-Slloveni dhe më në fund Itali. Gjatë kësaj rruge, kaq të gjatë e të lodhshme, ai mendonte se ishte një ekspeditë zbulimi të territoreve, por realiteti në të cilin ndodhej e rikthente me këmbë në tokë dhe të mendonte ndryshe.
Atij nuk mund t’i shqiten ato udhë ku sakrifica mbetej kryeradhë, e as që mund ta kishte menduar Londrën si vendin ku do të realizohet një prej ëndrrave të tij.
Biseda me Renisin ishte vërtet e ngrohtë dhe padashur e kthyem atë prapa në kohë duke i sjellë në jetë kujtimet e rrugëtimit të tij të vështirë drejt suksesit.
Vajtja në Milano si çdo fillim ishte i vështirë por pas pak kohësh u ambientua punonte dhe me njohjet që kishte arritur të bënte, përpiqej të ofronte ndihmë edhe bashkatdhetarëve të tjerë në nevojë. Ai tregon se me mikun e tij Agustin Lleshi hapi një kompani ndërtimi, ku merrnin punë të vogla private, por dhe aty nuk ishte i kënaqur pasi etiketohej si i huaj dhe klientët prisnin çmime më të lira si rrjedhojë nuk ndihej i barabartë mes të barabartëve.
Sërish ndjeu mungesën e lirisë dhe sërish duhej lëvizur për një tjetër stacion, Londrën.
Përpara se të linte Italinë , ai telefonoi programin televiziv mjaft të njohur në Itali i quajtur “Le Iene” nga Mediaset, ku ndau eksperiencën dhe pakënaqësitë e tij si emigrant në atë vend . Episodi u quajt “La vita di un emigrato” (jeta e një emigranti), ku me një grup të rinjsh shqiptar ndanë eksperiencën e tyre jetësore në Itali. Një javë më pas u nis drejt ëndrrës së tij të madhe drejt vendit të mundësive pafund “Mbretërisë së Bashkuar”.
Aty ku ndihesh plotësisht i lirë pa asnjë lloj diskriminimi, i barabartë pa asnjë dallim prejardhjeje , ngjyre apo feje. Më në fund ai preku ëndrrën e hershme për të prekur perëndimin…
Renisi ndan me ne fillimet e tij në Londër dhe thotë se këtu kuptoi për herë të parë se koha nuk ecën por vrapon dhe i duhej të behej atlet për të qenë në një hap me të.
Që në fillimet e tij në Britani ai vuri rregulla dhe sfida jetës së tij të re, ku një nga sfidat e para ishte pajisja me leje qëndrimi sa më shpejt që të ishte e mundur, e cila u realizua më herët se koha e menduar ndërkohë që ishte duke studiuar gjuhën angleze.
Ai kujton fillimet me nostalgji dhe tregon se filloi punë në një kompani angleze dhe pas 4 muajve atje u bë menaxher, ku mund të kontrollonte punën e kompanisë pothuajse i vetëm, duke qenë se kishte fituar besimin e punëmarrësit të tij.
Ai shprehet se çelësi i suksesit të tij ka qenë eksperienca e fituar gjatë emigrimit ,vlerat e marra dhe të kultivuara nga familja dhe padyshim kurajoja e cila nuk i ka munguar kurrë .Këto tre element përbejnë shtyllat mbështetëse drejt rrugës së suksesit.
Në vitin 2011 hapi kompaninë “PASSION CONSTUCTION LTD” me shumë sakrifica por në sajë të punës së palodhshme dhe këmbënguljes e bëri realitet dhe mundi të ndërmerrte projekte të rëndësishme.
Kjo kompani punon në dy drejtime domestike(e brendshme) dhe komerciale. Projektet e firmës përfshijnë rikonstruktim të disa kateve në Canary Wharf, Google, Amazon dhe disa firmave të tjera të rëndësishme vendase. Ka ndërtuar rezidencën e guvernatorit të bankës Britanike Z.Mark Carney. Rezidencën e vëllait të Princeshës Diana ,Lord Spencer e shumë të tjerë të njohur. Padyshim që kur dëgjon këtë punë të mrekullueshme e realizuar vetëm nga një emigrant është e mrekullueshme.
Puna mes këtyre njerëzve ka qenë një sukses më vete dhe ka mësuar që përveç suksesit personal ka diçka më të rëndësishme; impakti që kë te të tjerët, energjia që transmeton te këta që të quajnë një “role model”.
Renisi tregon se mbështet emigrantët e rinj dhe kontribuon në “Asamblin Mirdita” për të përçuar vlerat kulturore te brezat e rinj. Ai gjithashtu shprehet se një nga arsyet e të qenurit i suksesshëm lidhet ngushtësisht me traditat tona, sidomos me Besën e dhënë më zotimet që ne japim dhe premtojmë; kjo na bën më të besueshëm dhe vlerësohemi për atë që jemi.















