Konkursi për përzgjedhjen e drejtorëve të institucioneve parashkollore dhe shkollore u shpall i përbashkët në prill të këtij viti.
Më pastaj u anulua dhe u rishpall më 28 qershor.
Konkursi për drejtorë të çerdheve me këtë rast mbeti pezull për shkak se mungonte përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit që parashihet të jetë pjesë e komisionit intervistues.
Komuna e Prishtinës për anulimin dhe vonesat në këtë konkurs lë fajtor Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Shefi i Sektorit të Burimeve Njerëzore, Avni Zuka, tha për kallxo.com se përfaqësimi i MASHT-it në komisionin intervistues ishte tërhequr duke bërë të pamundur vazhdimin e intervistave.
“Konkursi ka mbetur pezull për shkak se përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit që është dashur të jetë pjesë e komisionit intervistues është tërhequr, sepse nuk është pajtuar me ligjshmërinë e procesit, por kontestimi i tillë i procedurës nuk është kompetencë e Ministrisë, por e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës,” tha Zuka.
Ai shtoi se kërkesat e Drejtorisë Komunale të Arsimit për delegim të përfaqësuesve nga MASHT-it janë injoruar.
“ Ne kemi bërë kërkesë për delegim të një përfaqësuesi tjetër, por ende nuk kemi marrë përgjigje nga ministria,” deklaroi Zuka.
Çerdhet momentalisht janë duke funksionuar me drejtorët paraprakë që po kryejnë funksionin e ushtruesve të detyrës, ndërkaq nuk dihet se edhe sa do të zgjasë procesi i përzgjedhjes, meqenëse ende nuk kanë filluar intervistat.























