“Ndaj sollëm koshin e plehrave këtu, është qytetare dhe normale, të bashkohemi të gjithë. Policia të distancohet, të lejojë shoqërinë civile të bëjë këtë veprim qytetar”,- tha Nikollaq Neranxi.
Ndërsa një tjetër aktivist, u shpreh: “Le të vijë me biçikletë ministri, jo me makinën luksoze nëse duan të mos ndotin ambientin. Si të importojmë plehra kur nuk riciklojmë dot plehrat tona. Ky është akt mafioz. Ky parlament i fëlliqur po vret të ardhmen e Shqipërisë”.
PROTESTUESI: RAMA NUK KA ASNJË THËRRMIJË NDRYSHE NGA BERISHA
Një prej protestuesve deklaroi për “News24” se iniciativa për importin e plehrave do të rrisë numrin e personave të sëmurë dhe numrin e vdekjeve në vend. Sipas tij, “Rama i djeshëm që premtoi moslejimin e mbetjeve, është vetëm një mbetje e Ramës së sotëm. Nuk ka asnjë thërrmijë ndryshe nga Berisha”.
“Protesta qytetare sot është vetëm shenjë e dorëzimit qytetar, sepse nuk kemi çfarë të bëjmë më pr/ligji është miratuar, pritet të votohet sot. Të gjithë politikanët që kanë qenë në qeveri të gjithë kanë synuar për të futur plehrat në këtë vend. Një iniciativë që do të rrisë numrin e personave të sëmurë, numrin e vdekjeve në këtë vend. Por jo për prindërit e tyre të afërmit e tyre, që nuk jetojnë në këtë vend, jetojnë në shtëpi të rrethuara, nëpër plazhe të rrethuara me gardh. jemi përpara një momenti ku demokracia përfaqësuese ka dështuar. unë nuk e di më kush do të jetë ai qytetar që do të besojë që një opozitë, opozita e sotme do të vijë nesër dhe do të ndryshojë. Rama nuk ka asnjë thërrmijë ndryshe nga Berisha. Rama i djeshëm që premtove moslejimin e mbetjeve, është vetëm një mbetje e Ramës së djeshëm. Referendumi mund të jetë një mundësi. kjo do të varet nga nervi qytetar. unë shoh që ka një dorëzim. duhet të mbetet një reflektim i thellë për plehrat që na mbajnë pushtetin. nuk ka më besim.”- deklaroi protestuesi.
Sipas protestuesit, “amendamenti i LSI për monitorimin e importit nga aktivistë të Shoqërisë Civile, është pjesë e lojës dhe shakasë në këtë vend. Kjo është thjesht hi syve, është teknikisht e pamundur. Një organizatë e shoqërisë civile nuk mund të bëjë atë që nuk e bën dot shteti.”
LIGJI PER IMPORTIN E MBETJEVE SOT NE KUVEND
Ndryshimet në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” janë në rendin e ditës së seancës se sotme të Kuvendit. Ky pr/ligj ka shkaktuar reagime të forta ditët e fundit nga shoqëria civile, e cila po proteston sot përpara nisjes së seancës plenare.
Sipas qeverisë, pr/ligji për importin e mbetjeve synon rilejimin e importit për mbetjet e ngurta jo të rrezikshme të listës së gjelbër, si lëndë e parë dytësore, për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e industrisë ricikluese të vendit. Ndërkohë LSI ka depozituar në Kuvend një amendament që propozon ti jepen më shumë të drejta shoqërisë civile që të ketë akses të monitorojë kalimin e mbetjeve në doganë.






















