Avokati i Azem Sylës, Tomë Gashi e konfirmoi se seanca nuk është mbajtur dhe se nuk janë dhënë arsye pse ka ndodhur kjo.
“Seanca e sotme është shtyrë ndërsa nuk janë dhënë arsye për shkakun e kësaj shtyrjeje. Seanca e radhës do të mbahet ditën e nesërme, ndërsa do të fillojë marrja në pyetje e dëshmitarit të mbrojtur 2”, tha Gashi për KALLXO.com.
Avokati tha po ashtu se pret që mundësia e veçantë hetuese në rastin e Azem Sylës dhe të tjerëve të përfundojë shumë shpejt, pasi që të ketë përfunduar marrja në pyetje e dëshmitarit 2.
Ditë më parë Azem Syla u riarrestua pasi që prokurori i EULEX-it Danilo Cecarelli pretendonte se ai po ndikonte në dëshmitarë dhe kërkonte paraburgosjen e të akuzuarit. Por kjo kërkesë u refuzua nga gjyqtarja e procedurës paraprake të EULEX-it, Jennifer Seal.






















