Ja njoftimi i plotë i Gruas së AAK-së:
“Rekomandimet e dala nga tryeza e diskutimeve,dt.14.09.2016, me temën ”Gratë/vajzat dhe çështjet e trashëgimisë së pronës, sfidat dhe problemet” e organizuar nga Aleanca e Gruas së Kosovës-AAK
20 Shtator 2016 ne Prishtinë.
- Gjykatat ta kryejnë inicimin e procedurave të trashëgimisë sipas territorit të pronës që do të trashëgohet apo ngjashëm, me qëllim që të eliminohen mundësitë e manipulimeve nga agjencitë e patundshmërive.
- Të hyjë në funksion, baza elektronike e të dhënave me ç ‘rast dëshmia mbi vdekjen dhe përcaktimi i trashëgimtarëve në fillim të procesit të ndarjes së trashëgimit të mos varet vetëm nga deklaratat (që potencialisht mund të rezultojnë të rrejshme) e iniciuesve të procedurave, por të jenë automatike e me mundësi verifikimi të procesit.
- T’u krijohet çasje e drejtpërdrejtë dhe e kontrolluar gjykatësve dhe noterëve në bazën e regjistrit të gjendjes civile.
- Të ndiqet praktika e disa vendeve të rajonit dhe të BE-së, për sa i përket trashëgimit nga bashkëshortët. Pjesa e trashëgimit të tyre të mos jetë e barabartë me trashëgimtarët e tjerë, por t’i shtohet edhe pjesa që u takon duke llogaritur kontributin e tyre në krijimin e pasurisë se përbashkët, duke konsideruar edhe amvisërinë si kontribut.
- Të hetohen, me prioritet, nga prokuroria rastet e falsifikimit dhe mashtrimit gjatë zgjidhjes së trashëgimisë.
- Këshilli Gjyqësor i Kosovës të nxjerrë qëndrim që lëndët mbi zgjidhjen e kontesteve martesore dhe të trashëgimisë, të hyjnë në mesin e lëndëve që trajtohen me prioritet në gjykatat e vendit dhe të caktohen gjyqtarë që merren ekskluzivisht me çështje familjare.
- Të parashihen lehtësime/zvogëlime/eliminime te tarifave/taksave në rastet e trashëgimisë së pronës nga gratë/vajzat të cilat nuk janë në gjendje të mire ekonomike.
- Të ketë përgjegjësi dhe llogaridhënie nga të gjitha institucionet të cilat nuk respektojnë të drejtën e trashëgimisë dhe pronës.
- Mediat ti japin hapësire më të madhe trajtimit të temës së trashëgimisë
- Vetëdijesimi i shoqërisë mbi atë se femra janë faktor kryesor në zhvillimin ekonomik, ndërtimin e demokracisë dhe funksionalizimin e shtetit.
- Shoqëria civile duhet të jetë më e zëshme mbi këto probleme
- Të u kushtohet, më shumë rëndësi temave, sensibilizimit të shoqërisë, debateve mbi këtë fenomen, duke bërë kështu që përmes ekspertëve të ndryshëm të arrihet deri tek lansimi i kampanjave të ndryshme që do të ndikojë në ndryshimin e botëkuptimeve të shoqërisë rreth kësaj çështje.
- Niveli qendror së bashku me atë lokal, si dhe mekanizmat tjerë duhet që të vendosin në plan programet mësimore edhe çështjen e trashëgimisë dhe të drejtat që kanë gratë/vajzat në Kosovë. Kjo do te ndikonte ne edukim te mirëfilltë të shoqërisë.
- Rishikim i librave shkollore të cikleve të ulëta në mënyrë që të mos lejohet steriotipizimi pozicionit të gruas/vajzës dhe burrit/djalit, duke bërë kështu që femrat të mos shihen kryesisht si ajo që merret me punët e shtëpisë, kurse meshkujt si kryefamiljar”, thuhet në reagim.






















