Saimir Tahiri reagoi pa vonesë, me një gjuhë njësoj të ashpër me atë që përdor rëndom ndaj opozitës. Ai i kujtoi Metës se situata ka qenë e tillë edhe në kohën kur ai qeveriste me Berishën. Madje shkoi më tej, duke i përmendur atij fitimet marramendëse që vinin nga Lazarati kur ai ishte në qeveri me PD –në.
“E ndaj plotesisht opinionin e kryetarit te Kuvendit qe kanabisi nuk luftohet duke i’u shmangur te vertetes, gje qe Partia Demokratike po e ben fatkeqesisht çdo dite! Kush ben sot sikur çuditet, i shmanget qellimisht te vertetes se kanabisi ishte nje fenomen i kudondodhur, por i fshehur nga syte e publikut deri ne vitin 2013, nga nje qeveri e polici qe mjaftohej me komunikata sekrete per rrenjet anembane Shqiperise, dhe garantonte fitimet marramendese te Republikes se Lazaratit!”
Dhe nuk mjaftohet me kaq ministri i Brendshëm, që me Ilir Metën s’ka patur ndonjëherë marrëdhënie të mira që kur Edi Rama i besoi këtë detyrë. Ai e fton të mos çuditet nga ky fenomen, duke u bërë viktimë e politikës së vjetër dhe i kujton se duhet ta kishte ngritur zërin edhe në kohën kur qeveriste me PD –në.
“Ndersa kush çuditet pafajesisht sot nga ky fenomen, eshte viktime e asaj politike te vjeter qe i shmangej perballjes me fenomenin duke e mbajtur jashte vemendjes se opinionit e te mediave!”
Meta, që deklaratën e tij e bëri në Korçë, iu përgjigj interesit të gazetarëve që i kërkuan të komentojë një deklaratë të bërë dy ditë më parë nga ambasadori austriak, Johann Sattler, i cili tha me shqetësim se “fenomeni i kanabisit është shtrirë në shumë rajone të Shqipërisë”, duke u bërë i pari ambasador i BE që ngre zërin për situatën.
Por Saimir Tahiri i kujton që kur të komentojë ndërkombëtarët, të mos harrojë edhe raportet e tyre.
“Ilir Meta ka shume te drejte kur thote se duhen degjuar edhe nderkombetaret. Kane folur shume qarte per vite me radhe, ndaj sot eshte inkurajim i madh cdo germe e raporteve te Departamentit te Shtetit dhe Gurdia di Finanza-s te cilat e kane cilesuar luften tone te tanishme shume shkoqur; ‘rezultate mbreselenese, fale angazhimit te lidershipit politik’.”
Në të vërtetë raporti të cilit i refrohet Tahiri pasqyron luftën kundër kanabisit në vitin 2014 kur qeveria ndërhyri në Lazarat. Një raport i Freedom House për vitin 2015, i botuar këtë vit, theksonte se “Shqipëria është një pikë kyçe për kontrabandistët heroinës dhe një vend kyç për prodhimin e kanabis në Europë”.
Por veç shifrave e raporteve, veç situatës së rënduar nga kanabisi që ka mbuluar vendin, sulmi i fortë i Tahirit ndaj Metës tregon dy realitete politike të rëndësishme. Së pari ai dëshmon se Ilir Meta nuk ka më peshën e dikurshme në koalicionin qeveritar, pasi është bërë lehtësisht i sulmueshëm edhe nga zyrtarë që për karrierë politike kanë vetëm njohjen me kryeministrin, të cilët i kujtojnë kollaj derën e PD -së. Dhe së dyti, gjuha e Tahirit është tregues i vështirësisë ku ai gjendet, me akuzat e përditshme për lidhje me krimin e trafikantë e drogës, me kanabisin që ka zëvendësuar kulturat bujqësore në mbarë vendin, me avionë që vijnë për të marrë drogën e që i mbeten shkurreve dhe me dyshime të forta se ai dekonspiron hetimet e prokurorisë me qëllim që të ndihmojë trafikantët e drogës, siç e akuzon opozita për rastin e fundit të avionit të rënë në Ishëm, shkruan Lapsi.






















