“Siç keni dëgjuar besoj, kemi të bejmë me një sëmundje virale, e cila ka dëme të mëdha socio-ekonomike, sidomos duke marrë parasysh rrethanat në Kosovë ku shumica e fermerëve janë të vegjël, dhe humbjet që shkaktohen nga rënia e produktivitetit të kafshëve dhe ulja e shëndetit të tyre deri në vdekshmëri nga kjo sëmundje, natyrisht që i detyron shumë fermerë të braktisin këtë aktivitet, duke shkaktuar edhe falimentimin e shumë fermerëve”, theksoi Çaushi.
Çaushi poashtu e quajti institucion të kapur Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, për të cilin institucion tha se ka lëshuar deklarata skandaloze në lidhje me konsumin e produkteve të gjedheve të sëmura, që është në kundërshtim me ligjet vendore dhe ndërkombëtare për konsumin. Si dhe për mungesën e vaksinave, që i detyron fermerët t’i sigurojnë ilegalisht ose të falimentojnë.
“Gjithashtu, problem tepër i rëndësishëm në mënyrën se si duhet trajtuar kjo sëmundje dhe kjo situatë emergjente është vaksinimi i kafshëve. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur në masën e duhur, Pra, kemi javë të tëra që premtohen vaksina. Përderisa gjitha shtetet përreth e kanë kryer dhe vazhdojnë ta kryejnë vaksinimin, një gjë e tillë në Republikën e Kosovës nuk po ndodh”, deklaroi deputeti Çaushi.
Në fund Çaushi shtoi se Lëvizja Vetëvendosje e ka problematizuar herët tregtinë ilegale të kafshëve që ndodh në komunat kufitare me Serbinë, duke përmendur se rasti i parë i këtij infeksioni ka ndodhur në komunën e Dardanës, ku tha se ndodh edhe tregtia më e madhe ilegale me gjedhe.






















