Në komunikatën e KOMF-së, thuhet se një veprim i tillë rrezikon personalitetin dhe integritetin e fëmijës.
“KOMF thekson që prindërit të cilët e keqpërdorin ushtrimin e të drejtës prindërore ose në mënyrë serioze e neglizhojnë ushtrimin e të drejtës prindërore, privohen nga kujdesi. Po ashtu, përfshirja e fëmijëve nga prindërit apo personat e tjerë në aktivitete që e rrezikojnë apo dëmtojnë zhvillimin e fëmijës është vepër penale”.
“Organi i Kujdestarisë (Qendra për Punë Sociale) si institucion i mandatar për mbrojtjen e fëmijëve, nëse mëson për rrezikun ekzistues për fëmijën për shkak të abuzimit të së drejtës prindërore ose çfarëdo rreziku për fëmijën, është i detyruar që urgjentisht të ndërmarrë masa për mbrojtjen e personalitetit, të drejtave dhe interesave të fëmijës”, thuhet në komunikatë.
KOMF njofton se tashmë i është drejtuar Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Gjilanit me kërkesën për inicimin e veprimeve të parapara në bazë të legjislacionit në fuqi.
Edhe sociologeja Sibel Halimi ka kundërshtuar publikim e këtyre fotografive.
Ajo ka thënë se ky veprim është shkelje e rëndë e të drejtave të fëmijëve.
“Fotoja e vajzës që po qarkullon në internet legjitimon jo vetëm abuzimin me vajzat. Përdorimi i vajzave si objekte seksuale është shkelje e rëndë, në këtë rast e të drejtave të fëmijëve.
Duhet japë llogari postuesi së bashku me realizuesin dhe prindërit, që kanë lejuar vajza e tyre të përdoret me këtë vrazhdësi!”, ka shkruar Halimi.
Kundër këtyre publikimeve ka reaguar edhe gazetarja Arbana Xharra, e cila ka thënë se vajza 8 vjeçare është keqpërdoruar nga familja dhe fotografi, i cili i ka publikuar fotografitë.
“ Vajza 8 vjeçare, keqpërdoret nga te dyja palët, familja me qe shihet prezenca e tyre ne foto dhe fotografi i cili e përdorë serish për shpërndarjen e fotove te saj për përfitime materiale. E reklamon per klientëve. Organet e sigurisë, organizatat për mbrojtjen e fëmijëve duhet te reagojnë me urgjence”, ka shkruar ajo në facebook.






















