“Gjatë takimit me drejtuesit e AKP-së, u theksua se asnjë pronë e menaxhuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka mbetur jashtë vijës kufitare të shënjuar nga Komisioni Shtetëror”.
“Përfaqësuesit e AKP-së kanë prezantuar edhe dokumentet dhe hartat e plota të pronave që ndodhen brenda vijës kufitare të Kosovës”, thuhet në komunikatë, transmeton lajmi.net.
Ndërkaq, përfaqësuesit e Policisë Kufitare, kanë deklaruar se që nga marrja e mandatit për patrullimin e kufirit, ata në vazhdimësi kanë patrulluar vijën kufitare e cila përputhet në tërësi me vijën e shënjuar nga Komisioni Shtetëror.
“Ata, po ashtu, kanë dhënë argumente hartografike, teknologjike (GPS) dhe detaje tjera që lidhen me punën e tyre, të cilat argumentojnë vijën kufitare, e cila si e tillë është respektuar dhe figuron në hartat e lëna nga KFOR-i”, thuhet në komunikatë.
Kryeministri Isa Mustafa shprehu vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e konsultave të gjithanshme, me të gjithë subjektet e interesuara dhe organet shtetërore, puna e të cilave në çfarëdo forme lidhet me brezin kufitar me Malin e Zi, me qëllim të argumentimit dhe faktimit të të gjitha çështjeve që lidhen me shënjimin e vijës kufitare me Malit të Zi.






















