Shumë komentues ia rikujtuan edhe vuajtjet e kosovarëve gjatë viteve të 90-ta e viteve të 2000-ta, kur shumë gjenerata sportistësh u shuan sepse nuk patën ku ta tregojnë talentin, raporton lajmi.net.
Por ndryshe nga Kosova, në Shqipëri nuk flasin shumë e s’lodhën tepër për këtë cështje. Zëra të vetëm që merren me këtë punë nëse kosovarët e mbështesin kmbëtaren ose jo janë disa gazetarë e intelektualë.
Një prej tyre është edhe Andi Bushati.
Në thelb, Bushati nuk është që Kosova të ketë vendine saj ën sport e gjithkund tjetër, por ai deklaron se kjo nuk e arsyeton askënd që të bëhet agresivë, të fyejnë e të shantazhojnë ata që mendojnë ndryshe.
Tek e fundit, Bushati deklaron se Vetëvendosje, e ka në filozofinë e saj bashkimin kombëtar dhe nuk duhet gjykuar përse lideri i saj deklarohet në këtë mënyrë.
“Ndoshta edhe në Prishtinë, po formohet ai arketipi “izolatrikut” që përshkruan aq bukur Blushi në librin e tij “Hëna e Shqipërisë”. Ai personazhi që e sheh atdheun jo më larg se dera e presidencës, ministrisë, medias apo biznesit të vet”, shkruan Bushati, raporton lajmi.net.
“Janë pikërisht këta lloje “izolatrikësh” kosovarë që po përpiqen të luajnë me simbolet e mëdha për qëllimet e tyre meskine”, thotë ai.
“Vetëm një mendje e ngushte dhe një interesi i vogël si i tyri, mund të arrijë deri në absurd: të nisë kryqëzatë ndaj Visar Ymerit dhe mbështetësve të tij, për faktin e thjeshtë se duan të vazhdojnë të përkrahin kombëtaren dhe të valvisin në stadium vetëm flamurin e saj”.
Por ndaj këtij opinioni ka reaguar publicisti nga Prishtina, Halil Matoshi, i njohur për qëndrimin e tij për krijimin e kombit kosovar.
Matoshi në llogarinë e tij në Facebook, i ka kërkuar kolegut nga Tirana që: “Na lini rehat në lirinë tonë!”.
“Bushati dhe ‘bllokmena’ e bij bllokmenash në Tiranë, kur ishte Kosova nën pushtimin serb s’kanë guxu me çel gojën për Kosovën dardane, se i kishin hanger n”Burrel 15 -20 n’kajmak”, shkruan Matoshi.
“E tash, kur Kosova u çliru në aleancen e kosoavreve me NATO-n, e kanë ba gojën qorape leshi!”.
Matoshi deklaron se këtyre ‘bllokmenave’, duke aluduar në disa persona të elitës në Shqipëri, që jeën e bëjnë rreth Bllokut në Tiranë, “po i pengon që Kosova doli nga fyti i “ujkut të stepave” dhe u ba e barabartë si tana kombet e lira të botës…”.
Madje Matoshi ngre një paralele. “Serbet thonë ende: “Kosova – krahina jugore e Serbisë”.
“Ndersa disa shqiptarë, si neoenveristat e VV-së (e ndër ta edhe nji Bushatli) po thonë: “Kosova krahinë e Shqipnisë”:, deklaron publicisti Matoshi, sipas të cilit, ata vazhdojnë të fyejnë atdheun e vetëm të kosovarëve, sepse po e ndjejnë tek frynë uragani i quajtur Republika e Kosovës!
“A ban gra e burra me na lanë rahat në lirinë dhe hallet tona?”, pyet dhe kërkon publicisti Halil Matoshi.
Lexoni të plotë opinionin e Andi Bushatit:
Fanatikët e rremë të skuadrës së Kosovës
I kam ndjekur me trishtim dhe habi, një sërë reagimesh të ashpra, që kryetari i lëvizjes Vetvendosje, Visar Ymeri, mori në Kosovë, për faktin e thjeshtë, se ai, në një status në Facebbok, uroi vetëm kombëtaren e kuqe dhe jo përfaqësuesen blu, për ndeshjet e futbollit të ditës së hënë.
Ndaj tij shpërthyen thirrjet e zakonshme të një skalioni fundamentalistësh prishtinas, që e akuzonin se po fyente skuadrën e vendit të tij, se uronte vetëm njërën pjesë të kombit dhe jo tjetrën e kështu me radhë.
Duke parë këtë reagim të shfrenuar, Ymeri vendosi të bëhej edhe me eksplicit. Ai nënvizoi preferencën e tij për një kombëtare të vetme, e cila, me sa duket, nuk ka të bëjë vetëm me pasionet e tij sportive, por mbi të gjitha me linjën e tij politike.
Si kreu i një partie që mbron idenë e bashkimit kombëtar, madje e ka atë busullën e aksionit të vet, nga Visar Ymeri nuk pritej të bënte tjetër gjë. Ai militon çdo ditë për një komb dhe një kombëtare të vetme dhe kjo është zgjedhja e vet njerzore dhe politike.
Furia vazhdoi me të njëtin ritëm edhe pas deklaratës së dytë, dhe kreu i Vetëvendosjes u riakuzua për shpërfilljen e Kosovës në raport me Shqipërinë.
Dhe padyshim që këtu ka një problem.
Sepse ndryshe nga Vetëvendosja, disa shqiptarë të Kosovës, mund të jenë për një komb Kosovar, për një gjuhë të Kosovës, për një skuadër kosovare dhe identitet të ndryshëm, por kjo nuk i lejon aspak të bëhen agresivë, të fyejnë e të shantazhojnë ata që mendojnë ndryshe.
Duke qenë se personalisht, nuk jam ndonjë fanatik i një kobëtareje të vetme, madje e kam ironiziar këtë ide, kur Sali Berisha atëherë në pushtet, mbarsi gjithë mediat e tij për ti fryrë kësaj daulleje, me qëllim instrumentalizimin e opinionit përmes tezave nacionaliste, unë nuk e mbështes idenë e djemve të Vetëvendosjes.
Madje, për më shumë, nuk besoj njësoj si ata, se çështja e bashkimit, është prioriteti i prioriteteve, apo zgjidhja më e mirë afatshkurtër për shqiptarët në të dy anët e kufirit. Shpesh frikësohem se këto qëndrime, mund të bëhen mburoja sublime të maskarenjve që duan të fshehin mëkatet dhe krimet e tyre në të dy anët e kufirit.
Por, pavarësisht kësaj diference, nuk arrij të kuptoj se si ata mund të sulmohen për këtë gjë. Si mund të shpallen armiq: se duan të vazhdojnë të bëjnë tifo vetëm për kuqezijtë; se nuk duan të shkojnë në stadium me flamurë blu; se nuk duan të këndojnë një himn që nuk ia zyrtarizojnë tekstin.
Të akuzosh Albinin, Visarin dhe ndjekësit e tyre se kanë bërë këtë zgjedhje, më duket absurde. Ti fshikullosh, ata më ngjan me një ekstermizëm që kalon çdo limit.
Natyrisht kushdo është i lirë të mendojë ndryshe nga Vetëvendosja. Të gëzohet për kombëtaren e Kosovës, të brohorasë në stadium me flamurin e saj në dorë, të rrënqethet kur të dëgjojë melodinë “Europa”, por deri këtu.
Sepse të shkosh më tej e kapërcen cakun e lirisë së gjithësejcilit.
Dhe kam frikë se ky cak në Prishtinë po kalohet.
Dhe nuk po kalohet se dikush dashiroka më shumë skuadrën blu sesa kombëtaren e kuqe, se dikush do të nderë në ballkon flamurin me gjashtë yje, sesa të lartësojë atë me shqiponjë, se dikush militon për formimin e një identiteti të ri, apo ndihet mirë tek ai tradicionali.
Jo, jo, problemi mund të jetë gjetkë.
Ndoshta edhe në Prishtinë, po formohet ai arketipi “izolatrikut” që përshkruan aq bukur Blushi në librin e tij “Hëna e Shqipërisë”. Ai personazhi që e sheh atdheun jo më larg se dera e presidencës, ministrisë, medias apo biznesit të vet.
Janë pikërisht këta lloje “izolatrikësh” kosovarë që po përpiqen të luajnë me simbolet e mëdha për qëllimet e tyre meskine.
Vetëm një mendje e ngushte dhe një interesi i vogël si i tyri, mund të arrijë deri në absurd: të nisë kryqëzatë ndaj Visar Ymerit dhe mbështetësve të tij, për faktin e thjeshtë se duan të vazhdojnë të përkrahin kombëtaren dhe të valvisin në stadium vetëm flamurin e saj.






















