16 vjeçarit ja rrëmbeu zemrën Britania që në fillim. Gjendej në djepin e arsimit, i rrethuar nga një staf akademik që e inspiroi më tutje arsimimin e tij. Bëhet fjalë për inxhinierin Shpend Gërguri. Vitet e para i kaloi në Sëan School of English dhe Abacus College ku pati mundësinë të mbaroj me rezultate të shkëlqyera, në nivelin ‘A’ studimet me fokus në shkencat natyrore: kimi, fizikë dhe matematikë. ‘Ato kohëra kanë qenë mbresëlënëse se përveç faktit se fillova arsimin në Oxford krijova edhe shoqërinë time të parë me anglezët si dhe shqiptarët në Oxford,’ rikthehet pas në vite Shpendi.
Dëshira për t’u bërë inxhinier i është rrënjosur që në fëmijëri, dëshirë që më vonë u shndërruar në udhëzues të fortë të karrierës së tij. ‘Gjyshi im i ndjerë ka patur prirje në inxhinieri dhe ka qenë person që për ato kohëra quhej inovator. Krijonte pajisje të përditshme praktike. Punëtoria e gjyshit tim ka qenë një vend i shenjtë për të, dhe përveç se ka qenë gjithmone mjaft i zellshëm ka qenë edhe pedant. Ai gjithmonë e dinte se cila vegël ku ndodhet dhe asnjëherë nuk mundeshim të mohojmë se kemi huazuar ndonjë mjet nga punëtoria e tij. Adhuroja të kaloja kohën e lirë me gjyshin në punëtorinë e tij,’flet plot dashuri për gjyshin dhe pasionin për inxhinierinë.
Të qënurit i apasionuar pas profesionit të tij dhe këmbëngulja e pashterueshme për të arritur rezultate të larta, kanë qenë motivet që Shpendi sot është një profesor në Universitetin ‘Oxford Brooks’ në lëndën e Engineering Design. Si çelës të suksesit, ai veçon dedikimin në punë si dhe dedikimin ndaj suksesit të studentëve të tij. Pa dyshim, një profesor ndihet i plotësuar kur edhe studentët e tij, ecin në rrugët e suksesit. Nuk është e mjaftueshme të jesh i suksesshëm vetëm në shkollë, por mbi të gjitha në jetë.
Përpos ndërtimeve inxhinierike, ai ka ndërtuar edhe një familje shembullore. Është babai i një vajze dhe ai ndihet i mrekulluar nga ndjesia e të qënurit prind. Ja se ç’na thotë:‘Unë mendoj se është kënaqësi të shohësh fëmijën tënd duke u rritur, duke qenë i pranishëm në momentet kur fëmija hedh hapat e parë, kur thotë fjalët e para, duke u përgjigjur pyetjeve ‘Pse’ dhe duke analizuar këndvështrimin e botës fëmijërore janë çaste magjepsëse.’
Sipas Shpendit, është fakt që fëmijët shqiptarë të cilët lindin dhe rriten në Britani shumë më shpejt përshtaten me mjedisin se të tjerët që janë rritur në Shqipëri. ‘Përderisa, ne si prind i kultivojmë vlerat dhe traditat tona në shtëpi, normal që do të ndikojë dhe tek femijët tonë në moshë të re dhe në këtë rast theksin do ta kisha vendosur në edukatën familjare,’ shton ai. Edukata familjare është kyçe në përcaktimin e identitetit të gjeneratave të reja. Por veçon si vlera që duhet të kultivohen në çdo familje shqiptare: gjuha jonë është pasuria më e madhe, historia jonë, dashuria për atdhe.
Atdheu për të është vendi të cilit i përket. Vendlindja është vendi ku është rritur dhe edukuar dhe ku ka kaluar një pjesë të jetës. ‘ Në vendlindje e ndjej veten të përmbushur në çdo aspekt, dhe të qenurit pranë rrethit të gjerë të familjes është një kënaqësi. Fakti që çdo rrugicë e vendlindjes është e lidhur me kujtimet e fëmijërisë më bën të ndihem i kënaqur dhe i plotësuar. Edhe se situata ekonomike ka qenë shumë e vështirë në atdhe, jemi rritur me shumë dashuri e përkujdesje duke na ushqyer gjithnjë e më shumë traditat dhe vlerat shqiptare. Këto tradita dhe vlera i mbartim dhe i zhvillojmë së bashku me komunitetin shqiptar në Britani si dhe në gjirin e familjes gjatë edukimit të brezit të ri. Atdheu është pjesë e pandarë në zemrën e secilit prej nesh pavarësisht arritjeve apo sfidave tona kudo nëpër botë. Për mua vendlindja ka qenë dhe do të mbetet e shenjtë.,’ shprehet me ndjenja të fuqishme patriotizmi Dr. Shpend Gërguri. Edhe pse tashmë po kontribuon në një vend tjetër me dijet dhe njohuritë e tij, ai nuk e harron kurrë atdheun. Për të ngelet si gjëja më e shtrenjtë për të cilën ja vlen të krenohesh dhe të thuash me krenari ‘Jam shqiptar, vij nga Shqipëria.’ Kjo nuk e ka penguar aspak në arritjet e tij dhe në karrierën e suksesshme.
I do bashkëatdhetarët e tij dhe bashkëpunon me ta, pavarësisht se thotë se ka mundësi për më tepër. Bashkëpunimi duhet të kultivohet edhe më shumë duke përfshirë edhe brezat e rinj. Janë ata që kanë nevojë për mbështetje dhe mbështetjen eduhur që të arrijnë të bëhen të suksesshëm, por asnjëhëherë arritjen e qëllimeve të tyre apo objektivave duke harruar prejardhjen, origjinën dhe vlerat të cilat mbartim ne si komb.
Mesazhi që ju drejton shqiptarëve përmban humanizëm në brendësi: ‘Le të investojmë në të ardhmen, edukimin dhe arsimimin e brezit të ri, pa harruar të kultivojmë vlerat pozitive të kombit tonë! Brezat e rinj, fëmijët tanë, janë ata që do të çojnë më tej vlerat tona kulturore dhe që në një ditë të afërt në kohë do të mund të kontribuojnë në mirëqënien e atdheut tonë dhe mirëmbajtjen e imazhit pozitiv shqiptar, jo vetëm në Britani por anembanë nëpër botë!’















