Ka mbërritur mëngjesin e sotshëm në portin e Vlorës, me traget, trupi i emigrantit Erjon Toro, që humbi jetën nga tërmeti i së mërkurrës në Itali.
Ai u soll me një makinë të bardhë funerali dhe automjeti me trupin qe i pari që zbriti nga trageti.
Familjarët pritën të afërmit që shoqëronin trupin, por ku nuk ishin gruaja dhe dy fëmijët e tij të mitur sepse fatkeqësia e familjes së Erjon Masar Toros nuk përfundoi vetëm me vdekjen e tij: Bashkëshortja, Elsa, mbeti e gjymtuar me të dy këmbët e prera pas tërmetit dhe njera nga vajzat e tij, 9-vjeçarja, theu krahun; vetëm vajza e vogël 4-vjeçare ka shpëtuar për fat nga tragjedia.
Xhaxhai i tij tha se ishte i kënaqur që shteti veproi shpejt dhe e ktheu trupin, sepse u lehtësoi disi dhimbjen.
Makina funerale u nis drejt fshatit Kurjan ndërkohë që trageti që transportoi trupin e Erjon Toros, i ra disa herë sirenës në port në shenjë respekti për viktimën.
Ceremonia mortore për Erjon Toron do të zhvillohet ditën e hënë.
Qeveria ka marrë përsipër shpenzimet e varrimit për emigrantin shqiptar nga Kurjani i Fierit që u bë pjesë e tragjedisë që goditi Italinë me mbi 280 të vdekur dhe qindra të plagosur.















