Pëllumb Toro nga Kurjani i Fierit, xhaxhai i emigrantit shqiptar Erjon Toro që humbi jetën nga tërmeti në Itali, tregon se dhimbja e tyre është shtuar më shumë.
Toro tha për GSH se bashkëshortja e nipit të tij, Elsa Toro, ka humbur të dyja këmbët, pas një operacioni në vendin fqinj. I vetmi ngushëllim për ta është se nga tragjedia kanë mbijetuar dy vajzat e vogla.
“Pasi morëm lajmin për vdekjen e Erionit, ne kemi kontaktuar vazhdimisht me të afërmit tanë në Amatrice të Italisë. Ata na treguan se trupi i nipit ishte nxjerrë nga rrënojat dhe se ishte dërguar në morg. Tashmë pritet që të kryhen të gjitha procedurat në mënyrë që trupi i tij të vijë në Shqipëri. Gjithashtu, të afërmit na thanë se vajzat e mitura të Erjonit dhe bashkëshortja e tij Elsa ndodheshin në spital. Sipas tyre, vajza e madhe 9 vjeçe ka thyer njerin krah, ndërsa ka marrë goditje dhe në kokë. Ajo ndodhet në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa gjendja shëndetësore ka ardhur duke u përmirësuar. Sa i përket vajzës së vogël 4-vjeçare, fatmirësisht nuk ka pësuar asnjë goditje dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
Me nusen e Erjonit nuk kemi folur, pasi ajo është në spital dhe gjendja nuk paraqitet e mirë. Fillimisht na thanë se kishte thyerje në të dyja këmbët dhe se gjendja e saj shëndetësore ishte stabilizuar. Por dje të afërmit tanë tanë atje na lajmëruan se gruaja e Erjonit i ka humbur të dyja këmbët. Nuk e dimë arsyen se çfarë i ka shtyrë mjekët italianë që t’i presin këmbët, mbase ishte mënyra e vetme për t’i shpëtuar jetën. Nuk dimë çfarë të themi tjetër.”
Ne kemi hapur dyert e mortit, por kemi dhe një arsye tjetër që kërkojmë me ngut kthimin e trupit të pajetë të nipit. Nëna e Erjonit, Meriemja, është e sëmurë me kancer por edhe probleme të tjera. Aktualisht, atë jemi duke e mbajtur me ilaçe, që gjendja e saj të mos përkeqësohet më tej. Ndaj dhe këmbëngulim që trupi të na vijë sa më shpejt të kryejmë ceremonitë mortore.”






















