Me anë të kësaj komunikate menaxhmenti i RTK-së fton subjektet politike, sidomos Lëvizjen Vetëvendosje, që të ndalen gjuha e urrejtjes, kërcënimet, ofendimet dhe shantazhimet kundër transmetuesit publik.
“Gjuha e përdorur kundër transmetuesit publik tregon që në shoqërinë tonë ende ka grupe e forca politike, të cilat qëllimet e veta tentojnë t’i realizojnë me dhunë, duke shtypur fjalën e lirë dhe duke mbytur lirinë e mediave”, thuhet në komunikatë.
Menaxhmenti i RTK-së konsideron se sulmi i mbrëmshëm kishte për qëllim frikësimin dhe disiplinimin politik të RTK-së.
“Por, kjo nuk do të ndodhë. RTK do të vazhdojë që, duke përmbushur misionin ligjor, të raportojë për të gjitha zhvillimet relevante, duke përfshirë të gjitha palët dhe akterët relevantë, pa u përfshirë asnjëherë në agjenda politike dhe elektorale. E sigurojmë audiencën tonë se ky sulm nuk do të ketë asnjë ndikim në punën tonë profesionale”, thuhet në komunikatë.
Menaxhmenti i RTK-së kërkon nga organet e rendit që të zbardhin sa më shpejt që është e mundur këtë rast dhe autorët e këtij akti terrorist të dalin para drejtësisë.
“Ndërsa nga institucionet e vendit kërkojmë që të jenë më të përgjegjshëm dhe që sa më shpejt që është e mundur të zgjidhin çështjen e pronës së RTK-së dhe të sigurojnë ambient më të sigurt për punë të punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës”.























