Ai më tej thotë se gjatë vitit që vjen Qeveria e Kosovës do të fillojë përgatitjet për koncesionimin e autostradës, pasi që, sipas tij, gjatë vitit 2018 do të përfundojë edhe ndërtimi i autostradës “Arben Xhaferi”, autostradë kjo që lidh Kosovën me Maqedoni.
“Kur të kryhet edhe autostrada e dytë atëherë po besoj se do të kemi më shumë interesim”, ka thënë më tej ministri Zharku. Ai thotë se Qeveria e Kosovës po ashtu është duke pritur edhe përfundimin e procesit për koncesionimin e autostradës në territorin e Shqipërisë. “Po presim ta shohim se si po funksionon në atë anë, pasi që deri më tash atyre procesi për këtë qëllim iu ka dështuar dy herë”, shtoi ministri Zharku.
Ministri Zharku thotë se gjatë këtij viti Qeveria e Kosovës po planifikon të përmbyllë procesin e vendosjes së 8 pikave të shitjes së derivateve në të dyja anët e autostradës.
Sipas tij, katër pika do të jenë në njërën anë dhe katër të tjera në anën tjetër. Ai shpreson se vendosja e pikave të derivateve në autostradë do t’i ndalë edhe vjedhjet e shumta në autostradë që janë duke ndodhur në vazhdimësi.
“Po besoj se sivjet do të vendosen pikat e karburanteve në autostradë. Janë paraparë gjithsejtë 8. Aktualisht jemi në shqyrtim të dosjes së tenderit. Unë mendoj se aty duhet të vendoset ai që paguan më së shumti për shtetin”, ka thënë Zharku.






















