Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në Partinë Demokratike, Grida Duma ka dalë ditën e djeshme ne një deklaratë për mediat duke akuzuar kryebashkiakun Erion Veliaj se ky i fundit ka influencuar në pushimin nga puna të dy prej gazetarëve të televizionit A1 News.
Lidhur me akuzat e Grida Dumës ka reaguar një prej gazetarëve në fjalë.
Në reagimin e tij gazetari Brahim Shima ka hedhur kategorikisht poshtë pretendimet e Dumës duke u shprehur se ai aktualisht vazhdon të jetë në punë.
“Zonja Grida Duma doli në një deklaratë për mediat ku përmendet dhe emri im për largimin nga puna. Dua të sqaroj dhe qetësoj miqtë e mi. Unë jam aktualisht në punë”, shkruan gazetari Brahim Shima në llogarinë e tij në “Facebook”.
Ndërkohë gazetarja tjetër, Alida Tota ka një të kaluar dhe të tashme thellësisht politike. Në kohën kur Partia Demokratike ka qenë në pushtet ajo ka mbajtur postin e drejtoreshës së barazisë gjinore në Ministrinë e Mirëqënes Sociale e drejtuar atëherë nga Spiro Ksera. Ky i fundit akuzohet nga drejtësia për shpërdorim fondesh publike.
Gjithashtu ka kandiduar edhe për t’u zgjedhur në Këshillin e Partisë Demokratike, kur edhe u bënë zgjedhjet në këtë parti.
Po ashtu së fundmi Alida Tota është parë nën shoqërinë e zëdhënëses për shtyp në PD, znj. Ina Zhupa gjë që dëshmon për lidhjet e saj të forta me PD-në.

Ndërkohë që gazetari Brahim Shima ka hedhur poshtë akuzat e Grida Dumës nga ana tjetër Alida Tota nuk është prononcuar lidhur me çështjen në fjalë. Mos vallë e pengon aktivizmi politik?
Përpos kësaj nuk duhet lënë pa përmendur se televizioni A1 News ka pak javë që ka filluar transmetimet e tij e me shumë gjasa z. Veliaj, e jo vetëm, as që është në dijeni të ekzistencës së këtij televizioni. Ky televizion administrohet nga Neritan Gjodeshi ish drejtor i UKT-së.





















