Teksa ende paraqiten probleme mes Kosovës dhe Serbisë, me të tilla është përballur edhe regjisori shqiptar me bazë në Zvicër, Fisnik Maxhuni.
Derisa ai po xhironte filmin e tij “Lost Exile” që përshkruan punën e një trafikanti njerëzish mes Serbisë dhe Hungarisë, tha se atij nuk i ishte lejuar të xhironte në Serbi.
Filmi është xhiruar në Kosovë nga një produksion zviceran dhe duket të jetë më shumë eksperimental.
“Unë jam munduar të jem sa më eksperimental në xhirimin e filmit, jam më shumë i fokusuar tek imazhet” tha Maxhuni.
Sa i përket temës së filmit, Maxhuni u shpreh shumë i shqetësuar me faktin që edhe pas 23 vitesh, situata politike s’ka ndryshuar.
“Janë dy arsye pse kam ardhur në Kosovë për xhirime, arsyeja e parë është që unë jetoj në Zvicër por jam lind në Kosovë, ditën e parë të xhirimeve ka qenë 23 vite e njëjta ditë që kam shkuar në Zvicër, kështu që ka një simbolikë goxha të fortë ky film. Ky është filmi i parë i metrazhit të gjatë që e bëjë”, tha ai.
Ky film është kooproduksion ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, është i financuar nga Ministria e Jashtme e Zvicrës si dhe Ministria e Kulturës së Zvicrës e poashtu edhe televizioni nacional i Zvicrës ka financuar dhe i ka blerë të drejtat e filmit, por në Kosovë vetëm Ikonë studio, si kompani ka participuar në buxhet të filmit me një shumë simbolike.























