Për incidentin e ndodhur në minierën e MIM Golesh në Magure të Lipjanit, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për KosovaPress tha se të mërkurën Policia ka hapur rast për një mosmarrëveshje ndërmjet dy zyrtarëve në punë dhe është duke u marrë me hetime të mëtutjeshme.
“Më 10 gusht në orën 10 e 45 minuta në stacionin e Policisë në Lipjan është raportuar një rast kanosje ndërmjet dy zyrtarëve në vendin e punës në MIM Golesh që gjendet në Magure të Lipjanit. Policia është duke u marr me rastin. Dy personat e involvuar në incident kanë pasur një mosmarrëveshje, ku ka pasur një kanosje verbale”, deklaroi zëdhënësja Ahmeti.
Kurse, për incidentin e ndodhur në këtë ndërmarrje që është nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP), zyrtarë të kësaj Agjencie nuk kanë dashur të flasin lidhur me rastin.
Ndryshe, në prill të këtij viti Këshilli i Minatorëve të ndërmarrjes “Miniera dhe Industria e Magnezitit-Golesh” (MIM Golesh), i janë drejtuar Presidencës së Kosovës me një kërkesë me shkrim për takim me presidentin Hashim Thaçi, ku qëllimi i kësaj kërkese bazohet në vështirësitë, problemet dhe gjendjen e rëndë socio-ekonomike të mbi 170 punëtorëve të kësaj Miniere, të cilët që prej tetorit të vitit 2014 kanë mbetur pa punë pas një vendimi të marrë nga menaxhmenti i AKP-së.
Pavarësisht kontesteve, AKP më 27 tetor 2014 kishte vendosë nën administrim të drejtpërdrejt ndërmarrjen “MIM Golesh” . Ky hap i Agjencisë ishte zbatim i vendimit të Bordit të Drejtorëve të AKP-së për tërheqje të aksioneve në këtë ndërmarrje dhe për vendosjen e saj nën administrim të drejtpërdrejt.
Në fundin e vitit 2007, Hysni Zogaj, pronar i kompanisë “Iming” kishte blerë nga ish- Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) tani AKP, Minierën e magnezit në Golesh për 16 milionë euro. Përkundër afatit te venë nga AKP-ja, për realizimin e kushteve deri në shtator të vitit 2015, AKP-ja ka ndërhyrë në nëntor të vitit 2014, dy ditë para se z. Zogaj të fillon punën në Minierë duke e vendosë përsëri nën menaxhimin e AKP-së.






















