Një shqiptar është dëbuar nga Italia si masë kundër rrezikut terrorist në vend, raportojnë sot mediat vendase.
Ka qenë vetë ministri i Brendshëm italian Angelino Alfano (në foto) i cili ka deklaruar se ka nënshkruar urdhrin e dëbimit për Sajmir Hidrin me origjinë shqiptare për shkak të aktivitetit të tij pro propagandës së ISIS.
Sajmir Hidri, 34-vjec ishte rezident prej shumë vitesh në provincën e Ferrarës kur kishte mbërritur në moshë minorene.
Ai jetonte në komunën e Vigarano Mainarda prej 14 vitesh e prej vitit 2004, vetëm 23 vjeç, ishte sipërmarrës i shoqërisë së tij të ndërtimit “Alba Costruzioni” e njohur në këtë provincë sidomos për ndërtimin e vilave me dekore fasade prej guri.
Sipas rrëfimeve të banorëve të zonës e të miqve të tij, Hidri vetëm prej pak muajsh kishte ndryshuar sjelle, duke rritur mjekrën e duke u izoluar gjithmonë e më shumë, shkruan “il Fattoquotidiano”.
Sajmir Hidri frekuentonte komunitetin mysliman në provincën e Ferrarës e sipas dëshmive kishte marrë pjesë dhe në iniciativën e fundit të pak javëve më parë, të ndërmarrë nga komuniteti mysliman me një lutje të përbashkët në kishë në shenjë mesazhi paqe e tolerance mes feve.















