Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, sot priti në një takim gazetarët turq, ku tema kryesore ishte tentativa për grusht shteti në Turqi dhe gjendja aktuale në vend.
Gjatë këtij takimi ambasadorja Kiliç u shpreh se Turqia dhe populli i saj ka kaluar ditë të vështira dhe shprehu dëshirën që në asnjë vend në botë të mos jetojë ditë të tilla, raporton AA.
Duke vënë theksin në rezistencën e fuqishme të popullit të Turqisë për ta përkrahur demokracinë në vend, Kiliç falënderoi mediat bashkatdhetare për mbështetjen dhe qëndrimin pranë demokracisë gjatë këtyre ditëve.
“Ditë në vijim janë shumë më ndritshme, Turqia nga kjo situatë do të dalë, dhe është duke dalë shumë më e fuqishme. Gjatë kësaj rruge të ndritshme shpresoj se do të ecim së bashku me miqtë tanë. Këtu dëshiroj të theksoj se duke filluar nga Presidenti Recep Tayyip Erdoğan, të gjithë ne dëshirojmë që t’i shohim miqtë pranë nesh”, u shpreh Kiliç.
Ajo duke bërë të ditur se natën e tentativës për grusht shteti edhe ajo vetë ishte në Ankara, theksoi se ngjarjet që kanë ndodhur atë natë, nuk ndodhin as nëpër luftëra.
Duke folur edhe për organizatën FETO, Kiliç u shpreh se kjo organizatë është shumë e rrezikshme. Ajo shtoi se anëtarët e kësaj organizate përgjatë 40 viteve kanë depërtuar në institucione të shumta, e jo vetëm në Forcat e Armatosura.
“Këtë e dimë se, kjo që ndodhi ishte shumë serioze. Nuk ka shaka me këtë, dhe kjo është ajo çka miqtë tanë nuk po kuptojnë, sepse kjo ishte një përleshje serioze. Të gjithë duhet të jenë në dijeni të këtij serioziteti. Në këtë aspekt, kjo që ndodhi nuk është një ngjarje që mund të bëhet shaka me të. Ne i treguam bashkëbiseduesve tanë që ky rast ka qenë shumë serioz, ku ishte mundimi për të mbijetuar. Por populli turk arriti që t’i dalë me sukses”, u shpreh Kiliç.
Ambasadorja Kiliç shtoi se të gjithë duhet të dinë që kjo ngjarje nuk ishte diçka që do të mbetej vetëm me Turqinë, duke vënë theksin se kjo organizatë, të cilën e cilësoi si “një organizatë ilegale me pamje legale” ka shtrirë aktivitetin e saj në rreth 170 shtete të botës. Ajo theksoi se Turqia është një vend që ka peshë si në rajon ashtu edhe në gjithë botën.
Gjatë këtij takimi të pranishëm ishin rreth 20 gazetarë turq, si dhe Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Turqisë në Prizren, Selen Evcit.






















