Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka filluar përgatitjen e procedurës për faljen e të dënuarit në burgun e Korçës, Hyqmet Spahollari. Ky institucion është vënë në lëvizje me urdhër të ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, pas publikimit të letrës së hapur të të dënuarit. Ky i fundit vuan nga zemra.
Ai është dënuar për 100 gramë drogë, ndërsa i kanë mbetur edhe vetëm 12 muaj burg. Pjesën më të madhe të dënimit e ka kryer. Ai i drejtohej ministrit të Drejtësisë, por edhe kryeministrit, për të gjetur një zgjidhje, pasi është invalid dhe trajtohet me një sërë medikamentesh për disa sëmundje.
“Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka vlerësuar me përparësi kërkesën e Hyqmet Spahollarit. Që prej datës 20 korrik 2016, Spahollarit i është caktuar një avokat falas nga ana e Komitetit të Ndihmës Ligjore.
Ndërkohë, ministri Manjani ka urdhëruar edhe administratën e Drejtorisë së Burgjeve që të fillojë procedurën e përgatitjes së dokumentacionit për faljen e të dënuarit.
Manjani kërkon që këtij shtetasi t’i krijohet një mundësi ligjore që t’i lejojë trajtim shëndetësor të specializuar në mënyrë përfundimtare”, thuhej në njoftimin e dhënë nga Ministria e Drejtësisë.















