Një i ri shqiptar është goditur me thikë në bark gjatë mbrëmjes së djeshme para një bari në San Donato Milanese (Milano, Itali),
Mediat italiane shkruajnë se ngjarja ka ndodhur për motive banale, rreth orës 23, raporton SYri.net.
Autori është një 24-vjeçar latin, me precedent të mëparshëm, i cili ka thyer edhe arrestin shtëpiak.
Shqiptari edhe ai 24-vjeç, ishte i dehur dhe mes tij dhe autorit janë shkëmbyer sharje, derisa ky i fundit nxori një thikë flutur dhe goditi shqiptarin në bark. Ai u transportua në spital dhe raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nëpërmjet dëshmive të personave të pranishëm në vendngjarje, policia ka arritur të identifikojë sulmuesin. Një patrullë policie u vu në ndjekje të tij dhe e zbuloi teksa ndodhej pranë banesës, por autori arriti t’ia mbathë. Kërkimet janë në vijim për të gjetur dhe arrestuar sulmuesin.
Pak javë më parë, një tjetër shqiptarë u godit me thikë dhe humbi jetën në Itali. Për këtë ngjare, dy persona u arrestuan me prejardhje latine, pjesë e një bande kriminale amerikano-jugore.















