Një tragjedi ka ndodhur paraditen e djeshme në Himarë, ku një turist rus që kishte ardhur së bashku me familjen e tij për të kaluar pushimet në Shqipëri, është vrarë në det. U vra nga një skaf, nga një apo disa njerëz të papërgjeshëm të cilët, pasi e kanë masakruar me helikat e mjetit.
Pas tragjedisë, të tjerë pushues kanë vërejtur trupin e masakruar të turistit rus dhe e kanë dërguar për në qendrën spitalore të Himarës, por ku nuk mundi të shpëtojë. Ditën e djeshme kur ndodhi kjo tragjedi, policia u kujtua të kujtojë se kishte njoftuar bashkitë bregdetare për marrjen e masave me qëllim sigurinë e pushuesve. Por policia dje tha se askush nuk i kishte kthyer përgjigje.
Ndërsa sot, si për të shlyer fajin e djeshëm, policia njoftoi me bujë se kishte vënë në pranga personin e dyshuar si autori të kësaj ngjarje. Sipas policisë bëhej fjalë për biznesmenin Fatmir Kuçi nga Elbasani.
Por nuk ka kaluar shumë orë dhe pas dëshmisë së Kuçit dhe personave të tjerë, ndryshoi versioni i policisë. Nga ndalimi për tragjedinë, Kuçi akuzohet se skafi i tij nuk kishte dokumente dhe është sekuestruar nga policia, e cila tashmë pas vdekjes të një pushuesi të huaj, ka nisur kontrollet.
Por edhe ky version tjetër i policisë është rrëzuar nga Kapitaneria e Portit të Durrësit, autoriteti përgjegjës për regjistrimin e mjeteve lundruese. Sipas kapitanerisë, skafi është i regjistruar në Maltë dhe lundron me flamurin e këtij shteti. Gjithashtu nuk është bërë asnjë shkelje as me zhdoganimin pasi është me qira për periudhën e verës.
E pas gjithë këtyre dështimeve të versionit të parë të policisë, uniformat blu nuk kanë zbuluar edhe personin apo personat të cilët i morën jetën turistit rus.















