Fillimi i muajit gusht është shoqëruar edhe me shtimin e madh të emigrantëve, që kthehen në atdhe për pushimet verore. Një nga pikat hyrëse më të preferuara është porti i Durrësit nëpërmjet tre trageteve, të linjave Bari-Durrës dhe Ankona-Durrës. Vonesat e shpeshta të trageteve kanë bërë që dyndja e sporteleve, të jetë gati e papërballueshme, njofton GSH. Në përpjekje për të përballuar këtë situatë, policia kufitare në Durrës ka vënë në dispozicion 25 sportele, por sërish radhët janë të gjata. Përveçse vonesave të trageteve, pasagjerët janë ankuar dje edhe për një rritje të papritur të çmimit të biletës gjatë muajit gusht, nga kompanitë që operojnë me tragete.
“Në Bari ishte skandal i madh, pasi kishte mijëra shqiptarë që donin të niseshin për atdhe, ndërsa tragetet u nisën pas orës 02.00 të mëngjesit. Përveç kësaj çmimet e biletave ishin rritur në mënyrë të rrufeshme, nga të tria kompanitë. Një biletë e thjeshtë ka shkuar në 110 euro, nga 47 euro që ka qenë vetëm për ardhje. Ku është abuzim i hapur sepse janë bërë të tria kompanitë së bashku dhe kanë rritur çmimet”, thanë mbrëmë disa emigrantë. Njëkohësisht shumë prej emigrantëve ankohen për vonesat në oraret e trageteve. Pjesa më e madhe e pasagjerëve janë emigrantë që jetojnë në Itali, ku edhe pushimet merren më 1 gusht.















