Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, ministrja Tahiri tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për dialogun për fqinjësi të mirë sepse është shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe për integrimin e Kosovës në BE, ku fqinjësia e mirë është njëra nga kushtet kryesore.
“Mbi këto baza, dialogu i Brukselit ka ndihmuar shumë Kosovën në rrugën e integrimit evropian, çka është konfirmuar me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së dhe rekomandimin për liberalizimin e vizave. Për këto arsye ne edhe kemi qenë gjithnjë serioz në zbatimin e të gjitha obligimeve që dalin nga Marrëveshjet e Brukselit. Mirëpo, tash e sa kohë Serbia ka bllokuar zbatimin e marrëveshjeve për çështjen e kodit telefonik shtetëror për Kosovën, pavarësimin e KOSTT-it dhe largimin e barrikadës nga ura e Mitrovicës dhe kthimin e saj në një urë bashkuese të lëvizjes së lirë”, theksoi Tahiri, përcjell lajmi.net.
Ajo foli edhe mos zbatimin e marrëveshjeve për kodin shtetëror për Kosovën, fillimin e funksionimit të pavarur të sistemit të transmisionit të energjisë së Kosovës (KOSTT), marrëveshje këto të cilat tash e pesë vite janë në tryezën e bisedimeve në Bruksel, përbën një shkelje serioze të marrëveshjeve të Brukselit nga ana e Serbisë.
“Qëndrimi jonë si Qeveri për këtë situatë është i qartë dhe i njohur për juve si BE, se pa u zbatuar këto tre marrëveshje të rëndësishme për neve, nuk do të ndërmarrim asnjë hap rreth zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Si dhe që ky Asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe as nuk do të jetë një nivel i tretë i qeverisjes, sepse këto kompetenca nuk i lejohen nga ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës, dhe se Marrëveshja bazohet në ligjet e Kosovës”, tha Tahiri.
Ministrja Tahiri po ashtu tha se derisa Serbia ka bllokuar proceset zbatuese të dialogut të Brukselit, ajo në anën tjetër ka vazhduar me veprimet e saja destruktive ndaj Kosovës duke ndërhyrë ilegalisht me pretendimet për ndërtime ilegale në veri të vendit me synime djallëzore të ndryshimit të strukturës etnike. Këto veprime të Serbisë kanë ngritur tensione dhe pakënaqësi dhe mund të jenë destabilizuese për situatën e mirë të sigurisë që e kemi arritur me mund të madh së bashku me juve BE-në, SHBA-të, Gjermaninë e partnerë të tjerë. Prandaj kërkoj nga ju si BE që të merrni të gjitha masat për të ndalur Serbinë dhe destruksionet e saja, sepse në të kundërtën do të detyrohemi që me forcën e ligjit t’i ndalim ne si Qeveri e Kosovës, tha Tahiri.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian rikonformuan qëndrimin e tyre se palët në këtë dialog duhet të jenë koherente dhe konsistente në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së dhe premtuan që për këtë qëllim do të jenë në kontakte të vazhdueshme me të gjitha palët për implementimin obligimeve të tyre. Ata theksuan se nga zbatimi i Marrëveshjeve të Brukselit varet shumë edhe progresi i secilit vend në rrugën e tyre drejt integrimit në BE. Zyrtarët e BE-së
kërkuan angazhime të palëve në vazhdimësi, pavarësisht periudhës verore dhe njoftuan se së shpejti do të mund të ketë zhvillime të reja për takime zbatuese në Bruksel për të cilat do na mbajnë të informuar.






















