Në një intervistë për Gazetën Fjala, Çelaj thotë se ndërtimet pa leje e korrupsioni në komunën e drejtuar nga Ahmeti, nuk janë ndalur, vetëm se janë ndërruar njerëzit të cilët bëjnë keqpërdorime të tilla.
“Përpjekja për të thënë që është ndal korupsioni dhe ndërtimi pa leje është i pavërtetë, thjesht është ndrru ekipa e cila korruptohet… Neve na raportojnë qytetarët vazhdimisht për korruptime ku i janë kërku mjete të caktuara qoftë për renovim të shpisë. Korrupsioni nuk është ndal por janë ndërru njerzit që përfitojnë”, ka thënë Çelaj për Gazetën Fjala.
Ai kërkon përgjegjësi nga i pari i kryeqytetit edhe për rastin e dy fëmijëve të mbytur në gropën e Kolovicës.
“ Dikush duhet të jap përgjegjësi penale, për këtë punë duhet të shkohet edhe te kryetari të jap përgjegjësi”, ka thënë asambleisti nga radhët e PDK-së.
Çelaj, thotë se në Komunën e Prishtinës ka mafi të ndërtimit. Përderisa, për kryetarin Ahmeti, thotë se Komunën e ka shndërruar në një shtab të Lëvizjës Vetëvendosje, duke vepruar njësoj si paraardhësi i tij, tani kryeministri Isa Mustafa, sa ishte në pozitën e njejtë.
Përveç kësaj, ai flet edhe për nënshkrimin për trajtimin mjekësor të Sabit Gecit, të cilin thotë se e ka bërë pas urdhërit nga ish ministri i drejtësisë Hajredin Kuçi.





















