Në një dalje publike para mediave, kreu i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili deklaroi se 140 votat pro miratimit të reformës në drejtësi ishte prova se konsensusi bashkon më shumë koalicionin. Teksa theksoi se dita e sotme është historike pas miratimit të reformës, Vasili shtoi se konsensusi bashkoi më shumë shqiptarët.
“Dje parlamenti shqiptar realizoi një votim unikal qoftë në historinë e tij, qoftë në historinë e pluralizmit shqiptar. Një produkt i një konsensusi patriotik dhe historik. Një konsensus që bashkoi shqiptarët, i bëri të ndihen më të sigurt në vendin e tyre. I bëri të ndihen më mirë në një Atdhe që drejtohet nga një politikë që tregoi maturi për çështje madhore.”, tha Vasili.
Nga ana tjetër kreu i grupit parlamentar të LSI-së theksoi se tashmë politika u çlirua nga tabutë.
“Të gjithë sot janë më të qetë pasi prodhuan një shtet më të qetë, që prodhon barazi e paanshmëri e cila i ka lodhur e mërzitur shqiptarët. Për politikën shqiptare nga sot është një ditë e re, pasi u çlirua nga tabutë. Konsensus është një rrugë e re dhe sfida e Shqipërisë për tu europianizuar. Politika duke u mbështetur tek konsensusi, nxjerr mësime të reja, për të kuptuar se të gjitha muret dhe dasitë e panevojshme, artificiale, dritëshkurtër që e mbajnë në vend Atdheun tonë, është një moment bashkimi. Është vendi që në mënyrë të merituar të vlerësojnë rolin e pazëvendësueshëm të BE dhe SHBA. Ka qenë një mbështetje e paçmueshme. Drejtësia, e qartë, e paanshme dhe sot jemi në një moment të ri. Kemi hyrë në një fazë të re. LSI me të njëjtin konstruktivitet do shërbejë edhe në procesin tepër të rëndësishëm, por dhe jo të lehtë, në zbatimin e saj. Edhe këtë proces do ta ndihmojmë, që të konsolidojmë këtë proces, me një votim madhor.”, shtoi Vasili.
Ndonëse e gjithë vëmendja e gazetarëve ishte tek pyetjet në lidhje dyshimet e tyre sa i takon një ‘krisje’ të koalicionit Rama-Meta, Vasili shoi zërat, duket shtuar se konsensusi i arritur dje mes palëve tregoi se kjo maxhorancë do të qeveris ende. Sakaq, Vasili tha se nuk ka parë lëvizjet e djeshme në Kuvend, ku sipas gazetarëve gjatë kohës që Meta foli, Rama la sallën, e njëjta gjë që bëri edhe kryeparlamentari gjatë kohës kur fliste kryeministri, ndërsa shtoi se s’ka asnjë shpjegim politik për këtë.
“Konsensusi nuk rrëzon koalicionin, pasi konsensusi nuk është ditë ndarje, por bashkimi. Ne kemi votuar të 140 për reformën në drejtësi dhe të gjitha votat e LSI kanë qenë në atë sallë, dhe kjo është një provë. Si kam vënë re këto detaje. Jam shumë i lumtur që më keni kursyer mua, pasi edhe unë kam lëvizur nga salla. Nuk kam shpjegim politik për këtë pyetje. Komunikimi ynë është për këtë çështje, mbi koalicionin, mbi politikën e ditës.”, pohoi ai.
Ndërkohë, Vasili vlerësoi rolin e Metës në procesin e arritjes së marrëveshjes mes palëve, ndërsa theksoi se tashmë i pret një tjetër sfidë e vështirë, zbatimi i reformës në drejtësi. “Në mënyrë të padiskutueshme kryetari i parlamentit mori atë pozicion dhe bëri një deklaratë publike të qartë kohë më parë, ku mori rolin e tij. Besoj se ishte një veprim shembullor, duke vepruar me patriotizëm.”, tha Vasili.
Mbajtjen e një fjalë në momentin e miratimit të reformës, Vasili e komentoi: “gjykuam me unanimitet që kur konsensusi flet nuk ka pse flet LSI”






















