Kreu i Komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj tha se sot është një ditë e veçantë. Nga foltorja e parlamentit këtë herë, para miratimit të reformës në drejtësi Xhafaj foli për atë që do të sjellë kjo reformë në drejtësi. Xhafaj tha se sot miratojmë bazën kushtetuese mbi të cilën do të reformohet ky sistem.
Xhafaj ka falënderuar edhe ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin, të cilët i përshkroi si 2 miq të mirë të vendit. Ai shprehu mirënjohjen edhe për ekspertët, juristët, prokurorët dhe gjyqtarët e ndershëm që punojnë në një sistem të kalbur.
“Sot është një ditë e veçantë në historinë e konstitucionalizmit. Që nga momenti i marrjes së angazhimit për reformën në drejtësi, sot rezultatet janë më të prekshme se kurrë. Sot qytetarët, miqtë, partnerët dhe skeptikët gjejnë hapin e parë. Sot do të miratojmë bazën kushtetuese mbi të cilën do reformohet sistemi i drejtësisë për të qenë një drejtësi më e besueshme për shqiptarët. Ky proces është nga proceset më të mira nga metodologjia, angazhimi i burimeve zyrtare. Reforma ka në fokus ndryshime në shtetin e së drejtës. Rregullat kushtetuese tëreja dhe paketa e ligjeve nuk bëhen për indidivdë apo mandate të caktuara por për riorganizuar institucionet e drejtësisë”, deklaroi Xhafaj.























