Në drekë u duk si zgjidhje pas daljeve të liderëve politikë, në darkë u bë dhe mbeti zgjedhje. PD zgjodhi në darkë të propozojë një tjetër ndryshim i cili nuk ishte në “çështjet në diskutim për konsensus”. Pas propozimit të PD, SHBA bëri deklaratën më të fortë që një ambasadë mund të bënte. Kur e mendon, është ambasada e SHBA-ve, jo shaka.“Ambasada e SHBA është e zhgënjyer që vëren se pas deklarimit të një marrëveshjeje midis qeverisë dhe opozitës, kreu i opozitës, Z. Basha ka paraqitur një kërkesë të re të papranueshme. Ky zhvillim i fundit na detyron të arrijmë në përfundimin se kjo është një përpjekje e qëllimshme nga kreu i opozitës për ta bllokuar këtë reformë. Paketa e reformës është gati dhe përmbush të gjitha standardet e Komisionit të Venecias, SHBA dhe BE. Nëse Z. Basha nuk i përmbush dot premtimet e tij, Qeveria e Shteteve të Bashkuara iu bën thirrje anëtarëve të parlamentit individualisht ta miratojnë këtë reformë më 21 korrik”, shkruan ambasada.
Siç shihet, shkruan “Qeveria e Shteteve të Bashkuara ” dhe jo ambasada në Tiranë. Pra Shtëpia e Bardhë i vë vijën ë kuqe Bashës si kryetar PD-je, duke ju drejtuar deputetëve individualisht të votojnë reformën në drejtësi.
Edhe BE shkruan se “Ne shpresojme se dakordesia e Kryetarit Basha dhe PD qe iu be e ditur sot ne forme zyrtare te shkruar komisionerit eshte ende e vlefshme. Klo eshte ceshtje kredibiliteti personal dhe politik.”. Pra, është e njëjta linjë, që bie direkt mbi Bashën.
Por, çfarë ndodh tani, pasi ka hyrë data 21 korrik, dita kur duhet të votohet reforma në drejtësi.
Meqë konsensusi i sotëm u prish nga PD dhe kërkoi zgjerim të gamës së ndryshimeve dhe u hodh poshtë nga SHBA, dhe meqë ora kaloi 00:00 e datës 20 korrik, ky konsensus është i pavlefshëm për të shkuar në Kuvend si projekt nesër.
Çfarë ndodh?
Projekti Kushtetues i miratuar në komisionin Ad Hoc dhe ka marrë mbështetjen nga SHBA/BE/PS dhe LSI (e cila deri dje është shprehur se votat e saj janë në ëashington), i aprovuar nga ndihmës sekretarja Nuland, shkon nesër në Kuvend për votim. Pra, konsensusi i sotëm i vetingut bie dhe çdo gjë është si në ditët kur PD thoshte prerë që nuk e voton reformën.
Nesër votat që duhet për të kaluar reformën janë 94. Sipas kalkulimeve me disa vota të deklaruara nga PD pro reformës reforma miratohet nesër.
Ndërkohë, pas thirrjes së SHBA-ve sonte, thuhet se numri i deputetëve të PD që do e votojnë nesër reformën janë afro 15.






















