Kur Fan Noli Kalorësi i fjalës dhe i vargut shqip, njeriu i guximshëm i mendimit të lirë, ftohej në Londër më 1964 me rastin e 300-vjetorit të Shekspirit , ishtë rëndë, shumë rëndë me shëndet e nuk mund të përballonte dot udhëtimin me avion kur ishte jo më pak, por 82 vjeç. Ky rast u humb në planin personal, por asnjë anglez nuk ia mohoi Kurorën e lavdisë që i dhanë atij shekspirologët e shumtë në Angli apo në vendet e tjera si përkthyesi më i mirë i Shekspirit në gjuhët e huaja. Bashkë me të po merrte një kurorë nderi edhe gjuha e ëmbël shqipe, gjë që ndezi krenarinë e të gjithëve. Shumë e re në shkrimin e saj, por tepër e fuqishme në pjesët e saj përbërëse për t’u përballur me dinjitet edhe me gjuhë të kombeve më të mëdhenj të kohës dhe të ditëve tona.
Sot pas më se shume vjetësh nuk e përcaktojmë dot të saktë se kush i bënte më shumë nder njëri-tjetrit Gjuha shqipe ia bënte këtë nder Fan Nolit, apo vetë ky përkthyes-gjigant ia bënte gjuhës së të parëve të tij që, për çudinë e gati mes të pabesueshmes, e ushtroi fare pak në kufijtë gjeografikë të shtetit shqiptar. Dhe të mos harrojmë ishte viti 1964. Do të duheshin edhe disa vite që në Tiranë të mblidhej Kongresi i Drejtshkrimit që njësoi mjaft rregulla të drejtshkrimit e drejtshqiptimit të saj. Në se do të vinte Noli në atë Kongres, natyrisht do t’i takonte një vend nderi në tribunën e tij.
Mesazhi është i qartë: “Kemi një gjuhë të pasur, të lashtë. Të aftë për t’u përballur edhe me Shekspirë të tjerë të kohëve moderne.” Po a jemi të gjithë nolianë për të mbajtur të freskët, të pastër? Po hyjmë në Evropë, thotë dikush. Jemi në Evropë, thotë një tjetër e mbase nuk duket ndonjë gjë e madhe të ketë edhe disa shkelje të gjuhës.
Por identiteti ynë gjuhësor nuk duhet kurrësesi të humbasë, madje as të goditet nga vetvetja jonë. Duket se tranzicioni e ka goditur rëndë edhe gjuhën. Vazhdon ta godasë ende. Të folurën e të shkruarën. Dikush nëpër mbledhje vrapon të citojë Naim Frashërin. Vetëm kaq.

Merrni atë ditë një mision të ri për të vështruar me kujdes të gjitha tabelat e dyqaneve të shumëllojta e të shumëngjyrta ! Emra të huaj pafund. Të lexueshëm e të çuditshëm. Sa e ke të vështirë që në një vend që quhet Shqipëri të gjesh fjalë në gjuhën shqipe!!!!!! Askush nuk flet, nuk reagon. Pa le të protestojë siç bëjnë shoferët e autobuzave, naftëtarët, jetimët, mësuesët, pronarët zemërthyer, fshatarët pa ujë, pa rrugë, me shtëpi të rrëzuara nga bora nga shiu, të palegalizuarit….Do të ishte fort e bukur që një grup intelektualësh, mësuesësh, pse jo edhe njerëz të thjeshtë të dilnin në rrugë për të kërkuar këtë shkelje kombëtare.
Përgjegjësia e përdorimit të gjuhës së njësuar duket se nuk është asnjëherë në një balancë me gjetjen e faktit gazetaresk. Shtypi shpesh bëhet një model i keq për rininë shkollore. Jo më pak bie viktimë edhe TV.
Po vetë shkolla? Duket se vendimet historike të aprovuara para gati 40 vjetësh nga Kongresi i Drejtshkrimit po kthehen në ca relike nostalgjike për shumë njerëz për deri sa ato nuk janë një model për ndjekje. Po hidhen mendime për një Kongres të ri të Gjuhës Shqipe, por nuk e dimë se çfarë probelmesh do të marrë e do të zgjidhë ai. Për infrastrukturën shkollore po bëhet ende pak për gjuhën amtare. Dihet nga të gjithë se pas disa vitesh kërkesash këmbëngulëse të prindërve, mësuesve e intelektualëve në shkollën e mesme të përgjithshme u fut mësimi i gjuhës amtare .Mirë. Shumë mirë. Por, për fat të keq, ndërkohë që propogandohen , madje edhe gjenden fonde për kabinete të kimisë, të fizikës , të biologjisë, të infromatikës nuk i ka shkuar ndonjërit në mend që në shkollat e mesme të ngrihen kabinete të Gjuhës Amtare. Sipas programit shkollor të lëndëve shoqërore është futur në maturën shkollore provimi i shtetit për gjuhën amtare. A e kemi “ushqyer ‘ nxënësin tonë dhe a e kemi përgatitur për këtë “betejë”të re? A janë botuar nga shteti apo nga Shtëpitë botuese private tekste në ndihmë të përvetësimit të gjuhës amtare ,për mësues apo për nxënës, veç teksteve shkollore që janë gjithësesi të mbingarkuara e shumë teorike. Në shkollat tona mungojnë në masë Fjalorët e Gjuhës shqipe. Mungojnë Fjalorët Drejtshkrimorë. Mungojnë Rregullat e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Drejtoritë e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme nuk kanë kënde të gjuhës shqipe, në formën e një gazete shkollore ku veç rregullave kryesore të nxitej drejtshkrimi, pasioni i mbledhjes së fjalës së rrallë, pa folur për drejtshqiptimin. Në shkallë qyteti do të ishte me mjaft interes një bashkëpunim i Drejtorisë Arsimore ose i institucioneve kulturore me specialistë përkatës me Policinë Bashkiake për të vëzhguar ato dhjetra gabime të gjuhës shqipe në tabelat e dyqaneve të shërbimit e të tregtimit . Pse jo edhe për të praktikuar ndëshkime financiare për shkelësit e këtij karakteri. ( ??????) Nuk mund ta quajmë idealizëm një gjë të tillë e as të pamundur me justifikimin legjendar ““për arsye të tranzicionit”
Kjo do t’i jepte një frymëmarrje edhe jetës kulturore të qyteteve tona,do të rriste dinjitetin kombëtar.
Në vend të moralit publicistik që duket se është rroba më e vjetëruar e kohës sonë, po citoj një mendim të Princit të Letrave Shqipe Faik Konica: ”Gjuha është shumë e gjallë dhe e hollë aq sa po i shtembërove pakëz një nyjë a një dell, trupi i tërë tronditet, vuan dhe humb forcën bashkë me bukurinë.”
Ndërsa dijetari i shquar gjerman , njohës i mirë edhe i gjuhës shqipe ka thënë: ’MË JEPNI NJË GJUHË TË BUKUR, T’U JAP NJË QYTETËRI TË MBARUAR!”
Kur citon këto mendime të arta për gjuhën , gjëja e parë që të shkon në mend , është të heshtësh e, më tej, të thuash nën zë e me zë sokëllimë: “Pa koment!”























