Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit, Viktoria Nuland u bën thirrje edhe një herë palëve politike në Shqipëri të gjejnë sa më shpejt zgjidhjen dhe të votojnë në 21 korrik propozimin e mbështetur prej saj për reformën në drejtësi. E pyetur nga televizioni Klan lidhur me mesazhin që ajo i jep popullit shqiptar para këtij votimi, ndihmës sekretarja thekson se Shtetet e Bashkuara dhe ajo personalisht kanë qenë për një kohë të gjatë mbështetës të demokracisë shqiptare.
“Shtetet e Bashkuara dhe unë personalisht kemi qenë për një kohë të gjatë mbështetës të demokracisë shqiptare. Shqipërisë i duhet kjo reformë.
U bëj thirrje patriotëve shqiptarë të mbështesin propozimin hibrid që unë përkraha gjatë vizitës sime.
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të shpresojnë se udhëheqësit politikë do t’i zgjidhin dallimet që kanë dhe të bashkohen përreth propozimit hibrid.
Nëse nuk munden, përgjegjësia do të jetë e deputetëve individualisht që të votojnë në favor të reformave që po kërkojnë 91 përqind e shqiptarëve“, thekson ndihmës sekretarja amerikane e shtetit.
Reagimi i Victoria Nuland vjen 24 orë para nisjes së seancës parlamentare, kushtuar Reformës në Drejtësi.























