Katër persona janë arrestuar dhe një i pestë është shpallur në kërkim për trafik të lëndëve narkotike. Policia e Elbasanit finalizoi operacionin e koduar “Domosdova”, ku u sekuestruan 6 kg kanabis sativa dhe një pistoletë “Zastava”.
Të arrestuarit janë Myzafer Saljiu 37 vjeç, banues në fshatin Studeniçan Maqedoni; Vangjel Bogdani 56 vjeç, banues në fshatin Rrajcë; Vjonilda Rozani 30 vjeç, banuese në Korçë dhe Aleksansdër Trpevski 30 vjeç, banues në Shkup Maqedoni.
Në kërkim është shpallur një 54-vjeçar me iniciale I.A, bashkëpunëtor i të arrestuarve.
Këta shtetas u arrestuan nga efektivat e policisë gjatë ditës së djeshme, pasi në Prrenjas, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e marrë me qira nga ana e shtetasit I.A, policia gjeti sasinë e lëndës narkotike, që dyshohet se do trafikohej në Maqedoni.

















