Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Victoria Nuland, në kuadër të një turi ballkanik, do të vizitojë sot, të dielën, Kosovën dhe Shqipërinë.
Fillimisht Nuland do të zhvillojë një vizitë disa orëshe në Prishtinë ku pritet të takohet me Presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.
Takimi me kryeministrin Isa Mustafa, zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe kryediplomatin Enver Hoxhaj është i përbashkët. Më pas, në axhendë është parashikuar edhe takimi me zëvendëskryeministrin Branimir Stojanoviç, nga komuniteti serb në Kosovë.
Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Victoria Nuland pritet të mbërrijë në Tiranë pak pas mesditës. Fokusi i vizitës së saj në Shqipëri, ashtu sikurse konfirmoi të shtunën edhe kryeministri Edi Rama pritet të jetë reforma në drejtësi.
Axhenda zyrtare e takimeve në Tiranë pritet të nisë rreth orës 14:30, me takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, në ambientet e MPJ-së.
Sipas burimeve të mediave rreth orës 15:30, zyrtarja e lartë e Departamentit Amerikan të Shtetit do të takohet me kreun e opozitës Lulzim Basha, takim që do të zhvillohet në një nga hotelet e kryeqytetit. Mësohet se Basha në këtë takim do të shoqërohet nga deputetet Oerd Bylykbashi dhe Aldo Bumçi.
Pas takimit me kreun e PD-së, zëvendës sekretarja amerikane e shtetit do të pritet në takim nga kryeministri Edi Rama.















