Një shqiptar është vrarë mbrëmë në Zvicër nga një italian. Ngjarja ka ndodhur në komunën e Winznaut, në kantonin gjermanishtfolës të Solothurnit.
Arben Gashi, 32-vjeçar, nga fshati Nekoc i Drenasit, besohet se është vrarë gabimisht, pasi në shtëpinë e tij më herët kishte jetuar një serb, i cili mësohet të ketë pasur probleme me italianin.
Gashi është vrarë me tre plumba, ndërsa ishte duke u larë në banjë, teksa autori i vrasjes ka menduar se aty ndodhej serbi me të cilin ai kishte probleme.
Italiani, i moshës 38-vjeçare, është arrestuar nga policia, dhe e ka pranuar vrasjen, e cila ka ndodhur në pasditen e 4 korrikut. Policia tani është në kërkim edhe të një personi, që besohet të ketë qenë pjesë e vrasjes.
Në shtëpi thuhet të kenë qenë edhe dy shqiptarë, të cilët kanë ikur nga një dritare gjatë ngjarjes tragjike. Dëshmitarët i kanë thënë policisë që dy persona kanë qenë të veshur me rroba sportive, dhe kanë pasur një çantë sportive me vete.
Ata gjithashtu i kanë thënë policisë që shtëpia ku ka ndodhur krimi nuk ka pasur kurrë probleme, ndonëse e kanë ditur që aty nuk kanë jetuar njerëz që e kanë folur gjuhën gjermane.

















