Kreu i opozitës Lulzim Basha ka reaguar sot përmes një deklarate lidhur skandalin e fotos së Edi Ramës me presidentin amerikan Barack Obama në vitin 2012. Basha tha se kryeministri shqiptar ka kryer një krim të rëndë federal, për të cilin duhet të hetohet.
“Paratë e korrupsionit dhe krimit qëndrojnë në themel të pushtetit të djeshëm dhe të sotëm të Edi Ramës. Ky fakt tronditës për çdo vend demokratik të botës i njohur fare mirë në sytë e shumicës dërrmuese të shqiptarëve tashmë u faktua para partnerëve ndërkombëtarë dhe botës mbarë. Hetimet e bëra publike nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë dhe mediat prestigjioze ndërkombëtare tregojnë se Edi Rama qëndron pas një krimi të rëndë federal të kryer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dorovitës i 80 mijë dollarëve të dhëna në një mbledhje fondesh për presidentin Barack Obama. Një akt i ndaluar nga ligji amerikan, që rreptësisht përjashton futjen e parave në fushatë nga një burim i huaj”, tha Basha.
Në vijim të fjalës së tij ai u shpreh.
“80 mijë dollarë ka paguar Edi Rama për një foto. 80 mijë dollarë për një mashtrim. 80 mijë dollarë për t’iu hedhur hi syve shqiptarëve. Në rrugën e tij drejt marrjes së pushtetit Edi Rama nuk u ndal para asgjëje, nuk ngurroi të thërrasë nën armë gjithfarë kriminelësh, e nuk kurseu askënd me gënjeshtrat e me mashtrimet e tij, madje as partnerin tonë strategjik, SHBA.Ky krim i rëndë federal i porositur dhe i paguar nga Edi Rama, tregon edhe një herë se si e nisi rrugën drejt pushtetit”, theksoi Basha.
Më pas ai akuzoi kryeministrin për përfshirjen e njerëzve me rekorde krimianle në politikë dhe administratën publike. Në fund duke u ndalur te reforma në drejtësi, Basha tha se kjo foto është në të njëjtën kohë prova se në SHBA drejtësia nuk mund të kapet nga Edi Rama, as të blihet e të shantazhohet nga ai.
“Unë sot dua t’i bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm dhe prokurorisë shqiptare që paralel me hetimet që po kryen FBI, të nisë menjëherë hetimet brenda juridiksionit shqiptar dhe sipas ligjit shqiptar për këtë rast të pastër të korrupsionit politik.Ku i gjeti Edi Rama 80 mijë dollarë në një kohe kur kishte deklaruar një pasuri prej 3 mijë eurosh?Apo janë para ryshfeti e korrupsion?Cili është burimi i tyre?Çfarë ka marrë në këmbim të këtyre parave sponsorizuesit?Sot, çdo shqiptar por dhe partneri ynë strategjik SHBA duhet ta dinë të vërtetën e këtij krimi të shëmtuar dhe të njohin kështu pa maskë, pa maskën që përdor me propagandën e tij Edi Rama. Ai duhet e do të japë llogari për rolin dhe përgjegjësitë e tij lidhur me këtë krim për të cilin sot drejtësia e SHBA-ve përgatitet të dënojë dorasin, por jo porositësin dhe përfituesin. Sepse kjo e fundit është detyrë e drejtësisë shqiptare, është detyrë e votuesve shqiptarë”, përfundoi Basha.
/LAPSI.AL/















