Një 41-vjeçar shqiptar ka qenë protagonist kryesor i arrestimit të dy personave në qytetin italian të San Costanzo-s.
Ngjarja ka ndodhur gjatë paradites, kur një grua është afruar pranë një 85-vjeçareje në rrugë dhe duke u shtirur se e njihte, e përqafon dhe e puth, raportojnë mediat italiane, shkruan Syri.net.
Por, e moshuara e largon dhe i kërkon shpjegime për gjestin, ndërsa më pas kupton se ajo i kishte vjedhur varësen e floririt, nisi të kërkojë ndihmë duke bërtitur.
Shumë persona i kanë injoruar thirrjet e të moshuarës, por ka qenë një shqiptar 41-vjeçar ai që ka parë skenën dhe është vënë në ndjekje të gruas.
Teksa ka parë që shqiptari po i afrohej, gruaja ka lëshuar varësen në tokë. Shqiptari ka marrë varësen dhe është vënë sërish në ndjekje të vajzës, derisa ajo hipi në një “Volswagen Passat” me targa angleze.
41-vjeçari kthehet te e moshuara dhe i jep varësen e më pas lajmëron autoritetet. Policia italiane ka arritur të arrestojë gruan, një 46-vjeçare dhe shoferin, një 21-vjeçar, të dy rumunë me përkatësi etnike rome.















