Programi i ri stimulues, i lansuar nga kompania Limak Kosovo International Airport, ka ndikuar në zgjerimin e listës së destinacioneve nga dhe për në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Në një njoftim të këtij aeroporti thuhet se prej 2 nëntorit të këtij viti do të ketë linjë direkte mes ANP “Adem Jashari” dhe Aeroportit të Parisit “Charles de Gaulle”.
Në këtë linjë do të operojë kompania ajrore “Easy Jet”, me aeroplanë të tipit Airbus 319. Fillimisht do të ketë dy fluturime në javë, të mërkurën dhe të shtunën.
“Me anë të programit stimulues qe u dedikohet kompanive ajrore, kemi arritur që brenda një kohe mjaft të shkurtër të shtojmë disa linja të reja ajrore dhe t’i forcojmë linjat ekzistuese. Me formimin e këtyre lidhjeve, ne po tentojmë t’u japim mundësi më të shumta udhëtarëve tanë, numri i të cilëve po rritet në vazhdimësi”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i ANP “Adem Jashari”, Haldun Kokturk.
Kompania ajrore “Easy Jet”, përveç fluturimeve për në Basel dhe për në Gjenevë, gjatë këtij viti ka filluar edhe fluturimet nga Aeroporti i Prishtinës për në Berlin.
















