Çështja e “Trepçës” nuk mund të zgjidhet pa Serbinë, sepse Serbia është pronare e saj.
Kështu kanë thënë përfaqësuesit e gjashtë komunave të Kosovës me shumicë serbe, pas përpjekjes së Prishtinës që këtë gjigant ta shndërrojë në ndërmarrje publike të Qeverisë së Kosovës.
Përfaqësuesit e këtyre komunave thonë se Kombinati “Trepça”, si subjekt më i madh ekonomik në Kosovë, ka rëndësi strategjike për mbijetesën dhe prosperitetin e popullit serb në Krahinë, shkruan gazeta “Veçernje Novosti” e Beogradit, transmeton Koha.net.
“Përmes qëndrimit se ‘Trepça’ nuk mund të zgjidhet pa Serbinë, e cila është pronare e Kombinatit, kemi dashur të parandalojmë synimet e Prishtinës që të marrë ndonjë vendim të njëanshëm, përkatësisht Ligjin e paralajmëruar sipas të cilit ky Kombinat do të bëhet Ndërmarrje Publike e Qeverisë së Kosovës”, i ka thënë “Novostit” kryetari i Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq.
Sipas tij, “në këtë mënyrë Prishtina do të bënte çfarë të donte” me “Trepçën”.
Në territorin e komunës së Leposaviqit nga dy miniera, Bello Bërdo dhe Cërnac, në të cilat hyhet nga ana e Kosovës, xehja nxirret në territorin e “Serbisë së ngushtë”, siç e quan Beogradit Republikën e Serbisë, duke lënë të kuptohet se Kosovën e trajton pjesë të saj.
“Përveç kapitalit të investuar në ngritjen e ‘Trepçës’ dhe të të gjitha kapaciteteve, edhe këto miniera janë dëshmi e qartë se kjo çështje nuk mund të zgjidhet pa Serbinë”, citohet të ketë thënë ai.
















