Dy ditë më parë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është arrestuar një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës nën dyshimin për abuzim seksual me një të mitur.
Zëdhënësi i Ministrisë së FSK-së, Ibrahim Shala, ka thënë për Gazetën Express se është arrestuar togeri i tyre Ismail Sekiraqa.
Sekiraqa 23 vjeç dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur më 8 dhe 9 qershor. Ai rrezikon deri në shtatë vjet burgim.
Në dokumentet e dorëzuara në Gjykatë të hënën, thuhet se të afërmit e të miturës kanë thënë se vajza është dhunuar në dy raste nga Ismail Sekiraqa. Sekiraqa është pjesëtar i FSK-së që po merr pjesë në një trajnim në Fort Leonard Woods si student ndërkombëtar.
Në raportin e hetuesisë thuhet se vajza e mitur që jeton në shtetin Misuri ka qenë duke punuar si dado tek halla e saj në Pulaski County, javën e kaluar. Por, të afërm të 14-vjeçares i kanë thënë autoriteteve se vajza kishte menduar që kishte rënë në dashuri me Sekiraqën dhe se nuk ka dashur që të bashkëpunojë me organet e drejtësisë.
Ajo e ka përshkruar Sekiraqën si shok nga Kosova të cilin e ka njohur për rreth dy javë dhe se në dy raste të ndara, kur ajo ka qenë tek halla e saj për të punuar si dado, kanë “fjetur” së bashku por që të dy nuk kanë pasur të veshur rroba.















