Si pasojë e luftërave dhe konflikteve të ndryshme, më shumë se 65 milionë njerëz, gjysma e tyre nga Siria, Afganistani e Somalia, janë zhvendosur në të gjithë botën.
UNHCR-ja ka deklaruar se numri i të shpërngulurve për këto arsye, ku përfshihen refugjatë, azilkërkues e persona që kanë lëvizur brenda kufijve të vendit të tyre, është më i madhi i regjistruar ndonjëherë dhe shënon një rritje me 5 milionë vetë brenda një viti.
Ndërsa agjencia e OKB-së ka shtuar se një shifër e tillë, nënkupton një në 113 njerëz të planetit. “Fatkeqësisht, numri i njerëzve të shpërngulur vitin e kaluar është rritur me 10%. Tani janë 65 milionë të zhvendosur. Dy të tretat janë njerëz që kanë lëvizur brenda vendit, një e treta janë refugjatë, 90% e të cilëve vijnë nga shtete me mirëqenie mesatare apo të varfra, dhe 50% e këtij grupi janë fëmijë”, tha Filippo Grandi, komisioner i lartë i OKB-së për refugjatët.
Në raportin e përvitshëm të publikuar në Ditën Botërore të Refugjatëve, OKB-ja thekson se është hera e parë që numri i refugjatëve nëpër botë kalon nivelin e 60 milionëshit.
Sipas mediave ndërkombëtare, deri tani, zgjidhjet e këtij ngërçi kanë qenë të paplota, mendojnë ekspertët, sepse përpjekjet nuk po fokusohen te zgjidhja e vërtetë: ajo e shkaqeve të arratisë. Për aq kohë sa në Siri vazhdon të luftohet, njerëzit do të përpiqen në vijimësi të largohen prej andej, e nuk ka për t’i penguar asnjë tel me gjemba.















