Policia e Kuçovës ka hasur në një rast absurdi në këtë qytet kur në publik, 25-vjeçari Ilia Toska po rrihte të shoqen, R.Toska.
Policia, që e ka parë skenën tek vendi i quajtur Postblloku, i ka bërë thirrje Ilias ta lëshojë “prenë”, por kulmi ka qënë kur bashkëshortja që po rrihej i është kundërvënë efektivëve bashke me të shoqin!
“Pas thirrjes së punonjësve të Policisë për ndërprerje të dhunës, të dy bashkëshortët i janë përgjigjur me kundërshtim punonjësve të policisë,” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
Si të mos mjaftonte kaq, pranë çiftit është afruar edhe një i njohur i tyre, Armend Bishani nga Fieri, që ka bashkëpunuar me të dy bashkëshortët dhe ka kundërshtuar urdhrin e Policisë e për t’i vënë kapak, “shtetasja R.T. ka mohuar që bashkëshorti e ka dhunuar.”
Si rrjedhim, Policia e Kuçovësi ka arrestuar të dy burrat dhe ka nisur në gjendje të lirë, procedimin penal për gruan 25-vjeçare.
Ata akuzohen nga për “dhunë në familje”, “Kundërshtim i punonjësve të policisë së rendit publik’’ dhe ‘’Deklarim i rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore’’.














