Elvis Rroshi paraqiti dy dokumenta për të treguar se është i pastër dhe “nuk është takuar asnjëherë” me drejtësinë italiane. Ashtu siç ishte befasuar nga lajmi se kishte qenë i dënuar për përdhunim në grup, në Itali, me çertifikatat penale të marra në këtë vend ai befasoi të gjithë ata që e dinin se ai kishte hequr dorë një herë e mirë nga Bashkia e Kavajës.
Rroshi u tha shqiptarëve se meqë figuronte i pastër, s’kishte më arsye për t’u dorëhequr. Ai nuk iu përgjigj më pyetjes nëse e kishte kryer krimin për të cilin ishte dënuar në moshën 16 –vjeçare nga dy shkallë të gjyqësorit në Campobasso të Italisë, në vitin 1992.
Por tre ditë përpara se të merrte çertifikatat penale ai e pranoi po publikisht se, nga avokatët që ai kishte angazhuar, kishte zbuluar dënimin me 1 vit e 4 muaj për përdhunim në grup dhe për dhunë fizike.
Pra, dënimi për Elvis Rroshin ekziston në regjistrat e drejtësisë italiane, ashtu siç e kanë zbuluar avokatët e tij, pavarësisht se më vonë Rroshi e mohoi.
Por përse nuk figuron ai në këto çertifikata penale apo dëshmi penaliteti?
Ekspertë të jurisprudencës shpjegojnë për lapsi.al se dënime të tilla si ai i Elvis Rroshit nuk shkruhen në dëshmitë e penalitetit, referuar nenit 175 të kodit penal italian mbi “të drejtën për të mos u përmendur” –diritto di non menzione.
Në këtë nen thuhet: Në rast se në dënimin e parë merret një masë denimi jo më shumë se 2 vjet, apo një gjobë që nuk i kalon 516 euro, gjykatësi, duke patur parasysh lehtësirat e cituara në nenin 133, mund të urdhërojë që të mos përmendet dënimi në çertifikatën penale që u jepet privatëve, jo për shkak të ligjit zgjedhor. Nëse i dënuari bën një krim tjetër, urdhëri për të mos i përmendur dënimet e tij në çertifikatën penale revokohet.

Ky nen jep edhe përgjigjen për pyetjen se përse çertifikata penale e Rroshit figuron e pastër në një kohë kur ai ka qenë i dënuar, siç pohon ai vetë dhe siç tregon një dokument i publikuar në portalin opinion.al.
Siç shpjegon neni 175, kur dëshmia e penalitetit kërkohet nga një individ në mënyrë private, dënimi i tij, nëse është një i vetëm dhe më pak se 2 vjet burg, nuk përmendet. Rroshi është dënuar me 1 vit e 4 muaj burg në vitin 1992 nga gjykata e shkallës së parë për minorenët në Campobasso, dënim ky që është lënë në fuqi edhe nga gjykata e apelit për minorenët. Ky nen nuk aplikohet në rastet kur dëshmia kërkohet si detyrim i ligjit zgjedhor. Ai nuk ka fuqi as në rastet kur çertifikata penale apo dëshmia e penalitetit kërkohet nga ndonjë autoritet zyrtar.
Prokuroria e Përgjithshme ka nisur tashmë hetimin pas dorëzimit të formularit të vetëdeklarimit nga Elvis Rroshi dhe do të kërkojë zyrtarisht informacion edhe në Itali për Elvis (Ervin) Rroshin.
Kërkesa e organit shqiptar të hetimit do të zbulojë edhe të vërtetën mbi dënimin e Rroshit, që u bë shkak që ai të jepte dorëheqjen për tre ditë dhe po ashtu edhe të vërtetën mbi çerftifikatat penale që e bënë atë të ndryshonte mendje. /Lapsi.al


















