Emigrantët myslimanë që ndodhen në kampet shtetërore në Greqi dhe Turqi kanë filluar agjërimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Mesa kuptohet kushtet e vështira në të cilat jetojnë nuk e kanë penguar një gjë të tillë.
Emigrantët e këtyre kampeve, të cilët jetojnë në tenda, presin nga autoritetet që t’u përgjigjen nevojave të tyre gjatë këtij muaji, duke pasur parasysh se nganjëherë përballen edhe mungesa elementare të ushqimit.
“Nëse do të jetë shumë vapë, do të jetë e vështirë për të gjithë, pasi do kemi etje dhe në këto kushte nuk mund të pimë ujë apo lëngje deri në mbrëmje kur vjen edhe ora e iftarit”, thotë një emigrantë, i cili jeton në një tendë së bashku me gruan dhe pesë fëmijët.
E njëjtë paraqitet situata edhe në kampin turk në kufirin me Sirinë, ku po agjërojnë qindra mijëra emigrantë nga Siria.
Ata shprehen se festimi dhe përjetimi në shtëpi i këtij muaji të shenjtë është tashmë thjesht një kujtim i largët. Në kampin Harran sipas shifrave të fundit të publikuara nga Agjencia turke e Menaxhimit të Fatkeqësive janë strehuar 13.000 refugjatë.
Turqia, e cila pret popullsinë më të madhe në botë refugjatëve, ka shpenzuar deri tani pothuajse 10 miliardë dollarë për 2.7 milionë sirianë që kanë ikur nga vendi i tyre.















