Një 32¬vjeçar shqiptar me inicialet D. I., i konsideruar si bosi i kokainës në Moratta është arrestuar nga policia italiane.
Shqiptari shumë herë i kishte shpëtuar prangave për shkak të teknikave të përkryera të fshehjes së drogës. I riu me kalimin e kohës kishte krijuar një rrjet konsumatorësh të besuar dhe të rregullt me të cilët nuk kishte nevojë për marrëveshje të veçantë për shitjen e kokainës.
Kjo e bënte veçanërisht të komplikuar çdo përpjekje për kapjen e tij nga policia, duke marrë parasysh se vendet e takimit me blerësit caktoheshin në bare dhe vende publike të zakonshme.
Ai nuk përdorte asnjëherë telefonin për të lënë takim me konsumatorët e drogës, por i takonte ata gjithnjë direkt. Për këtë arsye, karabinierëve iu desh fillimisht të zbulonte ku e fshihte drogën shqiptari. Gjatë vëzhgimit, policia zbuloi se bashkë me disa kuti plehrash, mes tyre shqiptari kishte fshehur dhe një kavanoz qelqi me 35 gramë kokainë brenda.
Nga kjo, karabinierët mësuan mënyrën e fshehjes së kokainës dhe gjatë ndalimit të shqiptarit në kohën kur po shkonte për të takuar një klient, u kap me një kavanoz të tillë në makinë. Kavanozi ishte i mbushur me oriz dhe brenda kishte gjithashtu dhe 50 gramë kokainë.















