Partia Demokratike ka denoncuar sot se Kryeministri Edi Rama vazhdon ta mbrojë Elvis Rroshin dhe ende nuk e ka firmosur shkarkimin e tij nga posti i kreut të Kavajës, edhe pse Rroshi deklaroi dorëheqjen, pasi është i dënuar në Itali për përdhunim në grup.
Në një deklaratë nga selia blu, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD Enkelejd Alibeaj u shpreh se Kryeministri nuk u ka kërkuar falje qytetarëve të Kavajës që kandidoi një të dënuar për përdhunim në krye të Bashkisë
Deklarata e kreut të departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Alibeaj
Edi Rama vazhdon ta mbrojë edhe sot, edhe tani që flasim Elvis Roshin, të dënuar për përdhunim në grup. U pa botërisht se njeriu i tij është dënuar për këtë vepër të rëndë, e megjithatë Edi Rama sërish nuk është distancuar, nuk ka kërkuar ndjesë para qytetarëve të vendit që i poshtëroi duke kandiduar e rikandiduar Roshin.
Edi Rama ende nuk ka marrë një akt për shkarkimin e tij, edhe pse Prokuroria ka nisur ndjekjen penale për fshehjen e të dhënave. Pasi e justifikoi përdhunimin e Roshit, pasi deklaroi se Roshi është si gjithë shqiptarët që kanë emigruar, Rama organizoi dhe një miting në mbështetje të tij, dhe sot janë të gjithë të dhënat që po e ndihmon ti fshihet drejtësisë.
Ja sa seriozisht e ka dekrimalizimin Edi Rama, që ofron mbrojtje të gjithanshme për kryetarin e tij të Bashkisë, kur kapet me krime të rënda, e me fshehjen e tyre. Mbrojtja e Ramës për të dënuarin për përdhunim arriti kulmin mbrëmë, kur Taulanti i tij e quajti Kavajën një qenef të madh, ndërsa Roshin shpëtimtarin e saj.
Edi Rama vazhdon të poshtërojë qytetarët e Kavajës në mënyrë të përsëritur. Iu kërkua të mos i poshtërojë qytetarët, i thanë faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë mos e kandido Roshin se është i dënuar në Zvicër për drogë, ai sërish e bëri. I doli tashmë i dënuar edhe për përdhunim, sërish Edi Rama zgjedh të qëndrojë në krah të Roshit e të fyejë popullin, qytetarët e Kavajës.
Nëse Edi Rama i ka mundësuar edhe arratinë, njësoj si Frrokut, ne i themi prokurorisë ta kërkojë Elvis Roshin në zyrën e kryeministrit. Aty ta kërkojë sepse Elvis Roshi dhe Edi Rama janë një, janë i njëjti person, janë të pandarë.
















