Komandanti i Karabinierëve Giuseppe La Gala ka treguar informacione të tjera të grupit të shqiptarëve dhe disa shtetasve të huaj që trafikonin heroinë e kokainë nga Shqipëria.
Operacioni i zhvilluar mes Shqipërisë dhe Italisë u mbyll para disa ditësh me arrestimin e 30 persona, 12 prej tyre vetëm në Shqipëri.
Në një intervistë për televizionin “TGR”, La Gala thotë se grupi kriminal kishte dërguar në Shqipëri 1 milionë Euro të kamufluara mes valixheve me rroga duke i transportuar me kamionë dhe autobusë.
Organizata përdorte kode për t’u mos u zbuluar dhe anëtarët bënin një jetë modeste për të mos rënë në sy.
“Kishin disa kode të qarta që i përdornin për të mos u zbuluar. Secili prej atyre që ishte i përfshirë në këtë grup e kishte të ndaluar të frekuentonte lokalet e natës. Shmangin çdo gjë të tepruar. Përdornin makina modeste dhe ishin të rregullt me pagesën e faturave.
E kishin të ndaluar të shoqëroheshin me njëri-tjetrin në ambiente publike, për të shmangur çdo dyshim për bashkëpunim apo njohje mes tyre. Ishin të detyruar të sillnin në Itali familjarët e tyre, gruan dhe fëmijët, për të treguar prezencën e një familje normale”, tregon komandanti italian.















